28.05.2017

Istogu, shembull i kthimit të komunitetit serb në shtëpitë e tyre

7 Shtator 2016

26 familje të komunitetit serb janë rikthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë përkatësisht në komunën e Istogut. Procesi i kthimit të të zhvendosurve të komunitetit serb në këtë komunë, sipas zyrtarëve të komunës së Istogut po shkon mirë dhe nuk ka ndonjë problem me të cilin po ballafaqohen. Madje atyre u ofrohet edhe asistencë sigurie në rastet kur kërkohet apo kur rrethanat e parashohin si domosdoshmëri.

Sipas Bajram Çelaj, koordinator për kthim në këtë komunë, familjeve serbe të kthyera po u ofrohet asistencë sociale me rastin e kthimit në shtëpitë e tyre.

'Përfitimet nga asistenca sociale janë: përveç asistencës në banim është edhe gjenerimi në të ardhura në fusha për të cilat përcaktohet vet familja ose individi si orenditë shtëpiake në bazë të anëtarëve të familjes. Asistenca sociale për ata të cilët i plotësojnë kriteret për asistencë sociale ose pensionet e pleqërisë ose të tjera', ka bërë të ditur Çelaj.

Përveç asistencës sociale, familjet e kthyera në këtë komunë kanë qasje të lehtë edhe në shëndetësi e arsim. 'Qasja në shërbime shëndetësore e arsimore është në nivel , nuk ka asnjë pengesë , të gjithë kanë qasje të plotë për ata të cilët dëshirojnë të shfrytëzojnë këto shërbime, ndërsa punësimi është problem më i madh duke njohur rrethanat ekonomike e sociale në Kosovë', ka theksuar Çelaj.

Madje sipas tij, komuna e Istogut është e përfshirë në një projekt i cili për të ardhmen parasheh ndërtimin e 250 shtëpive në 6 komuna të Kosovës për komunitetin serb.

Nga ana tjetër, Ministria për Kthim e Komunitete në kuadër të Qeverisë së Kosovës, kthimin e serbëve të zhvendosur e sheh sfidues.

'Në Gjakovë ky proces është më i vështirë. Në këtë mjedis nuk ka mundësi të kthimit të serbëve. Në disa pjesë të komunës së Pejës është shumë e vështirë, ndërkohë që komuna e Istogut, ne do të ju japim një shembull konkret ne Zhaq, kthimi vlerësohet si shumë i suksesshëm sepse në këtë vend sot, përveç se të gjithë ata që u kthyen me rezistencë të madhe atje kane mbijetuar, është rritur edhe numri i fëmijëve', bën të ditur zyra për informim e Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve.

Ndërsa kur flitet për vështirësitë në procesin e kthimit të të zhvendosurve serbë, disa nga to sipas Ministrisë së Kthimit janë prona e uzurpuar, stabiliteti ekonomik dhe gjendja e sigurisë.

Ndryshe, sipas të dhënave që posedon MKK, që nga fillimi i procesit të kthimit, në Kosovë janë kthyer 10 për qind të personave të zhvendosur nga numri total që paraqitet të jetë rreth 250 mijë. Prej tyre rreth 200 mijë llogaritet të jenë të zhvendosur në Serb, rreth11 mijë në Mal të Zi edhe një numër i të zhvendosurve janë ende në Maqedoni.

(Ky raport realizohet nga KosovaOnline në kuadër të Projektit: Të drejtat e romëve dhe serbëve (ZKM/ZÇK)