12.12.2019

Telekomi rrezikon bllokimin e llogarisë nëse nuk e paguan borxhin ndaj “Z-Mobile”

17 Korrik 2019

Telekomi i Kosovës rrezikon bllokimin e llogarive bankare nëse brenda shtatë ditëve nuk e paguan borxhin ndaj kompanisë “Z-Mobile” në vlerë prej 25 milionë eurosh. Kjo kompani një ditë më parë ka dërguar urdhrin për përmbarim të këtij borxhi, bazuar në vendimin e Arbitrazhit për shkëputje të njëanshme të kontratës me Telekomin, e i cili është njohur nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në vendimin për urdhër përmbarimor thuhet se në rast të mospagesës së këtij borxhi nga Telekomi, do të caktohet përmbarim i dhunshëm, që nënkupton bllokimin e llogarive bankare, e në rast se nuk ka mjete të mjaftueshme për shlyerjen e këtij borxhi, përmbarimi ekzekutohet edhe nga shitja e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të Telekomit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Më 26 prill të këtij viti “Dardafoni”, i njohur si “Z-Mobile”, ia kishte dërguar një letër zyrtare Telekomit, duke kërkuar që në afat brenda dy javësh të kryhej borxhi, në të kundërtën do të fillojnë procedurat përmbarimore.

Telekomi ka thënë se në gjendjen në të cilën ndodhet gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere. Ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore që të prapësohet ky propozim përmbarimi. Lidhur me këtë vendim është njoftuar edhe Qeveria si aksionare e Telekomit...