24.10.2018

Telekom Srbija ofertë për Telekom Albania: Propozimi po shqyrtohet

2 Tetor 2018

Telekom Srbija ka konfirmuar për herë të parë zyrtarisht se është në bisedime për të blerë operatorin e dytë më të madh të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, Telekom Albania. Në një prononcim për median serbe “b92”, Telekom Srbia zbulon se ka bërë ofertë por pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Telekom Serbia synon që të pozicionohet si një lider rajonal në fushën e telekomunikacioneve. Ne kemi dorëzuar një ofertë, e cila është në shqyrtim”, thuhet në njoftim.

Telekom Albania zotërohet plotësisht nga Deutsche Telekom përmes grupit grek “OTE”. Pak ditë më parë, ky grup konfirmoi zyrtarisht ekzistencën e negociatave me palë të tjera për një shitje të mundshme të Telekom Albania, por pa dhënë detaje. Burime jo zyrtare thonë se aktualisht në garë për të blerë ish AMC-në janë tre kompani, por kandidati kryesor përflitet Telekomi Serb.

Sipas këtyre burimeve këto ditë pritet të mbërrijnë në Tiranë drejtues të Deutsche Telekom dhe Telekomit Serb për të kërkuar nga qeveria shqiptare dhënien e pëlqimit për një marrëveshje të mundshme.

Telekom Albania është  operatori i dytë më i madh i komunikimeve elektronike në vend duke zotëruar rreth 24 për qind të tregut. Por vitin e kaluar kompania raportoi një humbje prej rreth 36 milionë eurosh, pas një fitimi minimal prej 1.2 milionë eurosh që raportoi në 2016-ën. Tregu i vogël, rezultatet e dobëta financiare, por edhe problemet me klimën e biznesit duket se janë dhe arsyet kryesore se pse gjiganti gjerman Deutsche Telekom ka vendosur të largohet nga Shqipëria duke e nxjerrë kompaninë në shitje.