23.05.2017

Strategjia e re e energjisë i siguron Kosovës stabilitet energjetik

18 Prill 2017

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in, sot organizuan forumin e nivelit të lartë për energjinë “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”. Në këtë forum u diskutua për rëndësinë e strategjisë së energjisë dhe zbatimin e saj, për sfidat aktuale dhe të ardhshme të liberalizimit të tregut, për reformat kyçe që do të ndërmerren dhe për zbatimin e masave të buta WB6.

Në hapje të forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci,  tha se sfida më e madhe me të cilën përballet sektori i energjisë vazhdon të jetë siguria e furnizimit me energji elektrike, si pasojë e vonesave në ndërtimin e termocentralit të ri të prodhimit të energjisë elektrike të bazuar në thëngjill, si dhe vonesave në zëvendësimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve të prodhimit.

Si dokument afatgjatë thelbësor për zhvillimin e sektorit të energjisë, ministri Stavileci tha se  strategjia e re përcakton objektivat themelore të Qeverisë në zhvillimin e sektorit të energjisë.

“Strategjia e re përcakton pesë objektivat e rëndësishme, siç janë siguria e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor të energjisë elektrike me kapacitetet e nevojshme për një sistem stabil, integrimi në tregun rajonal të energjisë, pastaj zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike përmes rehabilitimit (TCB) dhe zëvendësimit të kapaciteteve të vjetruara (TCA) me kapacitete të reja (TCKR), zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror, si dhe arritjen e caqeve të efiçiencës së energjisë, burimeve të ripërtëritshme dhe mjedisit sipas detyrimeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së”, u shpreh ministri Stavileci.
   
Duke pasur parasysh zhvillimet drejt një tregu të liberalizuar, kryeministri Isa Mustafa tha se reformat e përgjithshme gjithsesi që paraqesin sfidë institucionale dhe ekonomike për sektorin e energjisë në Kosovë.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delaëie, theksoi se  viti 2017 është një kthesë e rëndësishme në sektorin e energjisë. “Shumë prej jush e mbani mend dimrin e para gjashtë vitesh ku shumë shtëpi dhe biznese mbeteshin në terr. Sot jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Ky është një përparim i dukshëm, por edhe përkundër të arriturave ende paraqet një sfidë për furnizim stabil që bëhet përmes dy centraleve të vjetruar.

Përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se 2017 mendojmë që është vit me rëndësi kritike për Kosovën dhe sektorin e energjisë për një varg arsyesh. “Jemi krenar që jemi partnerët e Kosovës për përpjekjet e saj në këtë drejtim dhe duam të përgëzojmë përpjekjet e Qeverisë në veçanti ato të stafit nga MZHE për hartimin e Strategjisë së Energjisë të cilën e konsiderojmë gjithëpërfshirëse gjë që e kemi theksuar edhe më parë duke adresuar zgjidhje në aspekte të ndryshme të planit për realizimin për furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike në Kosovë”, tha ai.

Kurse, Luigi Brusa, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi se reformat e sektorit energjetik mbesin një nga prioritet kryesore të  BE-së në Kosovë. “Strategjia e Energjisë së Kosovës nuk do të duhej të jetë synim me vetvete por në të vërtetë një dokument i gjerë i cili mbështetet me veprime konkrete dhe projekte pasuese dhe vetëm atëherë  do të mund të shndërrohet një vegël e fuqishme për reformat në  sektorin e energjisë dhe kjo kërkon angazhim të fuqishme të Qeverisë”, tha Brusa.

Në këtë forum të nivelit të lartë për energjinë, institucionet vendore dhe ndërkombëtare prezantuan edhe ekspertiza profesionale për tema të ndryshme.

Pjesë e forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” ishin edhe fokus grupet e veçanta, të cilat diskutuan për tema specifike mbi sfidat e liberalizimit të tregut, si dhe zhvillimet aktuale dhe të ardhshme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë.