19.08.2018

Sektori minerar i një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik

2 Shkurt 2018

Departamenti Amerikan i Tregtisë, Programi për Zhvillimin e Ligjeve të Tregtisë, përmes Ambasadës Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, mbajtën një konsultim ndërqeveritar për të diskutuar strategjitë për zhvillimin e industrisë së minierave, me fokus të veçantë në minierën që do të zhvillohet përkrah Termocentralit “Kosova e Re”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në hapjen e takimit theksoi se sektori minerar është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe shpalosi projektet dhe hapat konkret të ndërmarrë deri me tani. Në veçanti përmendi projektin për zhvillimin e minierës së re të thëngjillit, projekt ky, tejet i rëndësishëm për sektorin e energjisë, në veçanti për sigurinë e furnizimit të kapaciteteve prodhuese të Termocentralit” Kosova e Re” dhe termocentraleve ekzistuese.

Zëvendës Ambasadorja Amerikane, Colleen Hyland, vuri theksin tek rëndësia e sektorit minerar për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo deklaroi që “qeveria duhet të prioritizojë zhvillimin e minierës së re për tu siguruar që Kosova do të mund të arrijë obligimet kontraktuale për Termocentralin Kosova e Re dhe për zotimin e dhënë ndaj qytetarëve”.

Ndërsa Mohamed Badissy prezantoi analizën e detajuar të tregut global të minierave dhe qasjet e mundshme për të zhvilluar më tej sektorin minerar të Kosovës. “Përderisa investimi në Termocentralin Kosova e Re do të jetë investimi më i madh në historinë e Kosoves”, shtoi ai. Sipas tij, financimi dhe zhvillimi i minierës së re do të luaj jetë komponentë kryesore për arritjen e marrëveshjes financiare për të gjithë projektin.

Në këtë takim ishin pjesëmarrës dhe kontribuuan në diskutim Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai i Financave, Bedri Hamza, Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, dhe zyrtarë të tjerë qeveritar të nivelit të lartë.

Programi për Zhvillimin e Ligjeve të Tregtisë është program i zyrës ligjore këshilluese të Departamentit Amerikan të Tregtisë i cili është i ngarkuar me ofrimin e asistencës teknike në fushën e ligjit komercial për qeveritë dhe aktorët e sektorit privat në tregjet në zhvillim për të mbështetur synimet e tyre të zhvillimit ekonomik.