22.08.2018

Rritet çmimi naftës në Kosovë

18 Maj 2018

Çmimi i derivateve ka shënuar rritje në të gjithë botën dhe kjo po vërehet edhe në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani i cili ka thënë se çmimi i naftës në Kosovë tashmë ka arritur në 1.10 euro.

Rritja e çmimit të naftës, që ka filluar gjashtë javë më parë, është më e madhja në 4 vitet e fundit. Të enjten çmimi për një barel ka arritur në 80 dollarë amerikanë.

Ky çmim sipas ekspertëve është rritur si pasojë e problemeve mes SHBA-së dhe Iranit dhe krizës në Venezuelë.

“Vitin e kaluar në të njëjtën kohë, çmimi i naftës ka qenë 0.95 euro, pasi ka qenë kuota ndërkombëtare e prodhimit e madhe, derisa tani prodhimi i derivateve ka rënie dhe në mënyrë automatike ka rritje të çmimit të derivateve në të gjithë botën dhe kjo po ndikon edhe në Kosovë. Por qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me derivate me çmim më të lirë në rajon. Më lirë se në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni”, ka thënë Berjani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës dhe bizneset, nuk kanë nevojë të krijojnë panik, pasi siç ka thënë Berjani, ata janë duke u shërbyer më çmime reale.

Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë është 1.10 euro, kurse i benzinës 1.11 euro.