23.10.2017

Qeveria miratoi Strategjinë e Energjisë 2017-2026

6 Tetor 2017

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar Projektligjin per Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026, një varg nismash për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe vendime tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti Qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, i cili rregullon funksionimin dhe statusin juridik të kryeqytetit.

Kryeqyteti përkufizohet territorialisht ashtu siç është përkufizuar territori i Komunës së Prishtinës me Ligjin për ndarjen administrative të komunave në Republikën e Kosovës. Dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale zbatohen edhe në kryeqytet vetëm në rastet kur kjo është e rregulluar ndryshe në Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Strategjia e Energjisë në Republikën e Kosovës 2017-2026. Kjo strategji përcakton objektivat themelore të Qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë duke marrë për bazë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ruajtjen e mjedisit, furnizimin e sigurt dhe cilësorë të konsumatorëve dhe shfrytëzimin efiçient të energjisë.

Në strategji janë evidentuar edhe objektivat për zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese konvencionale dhe të ripërtëritshme, krijimin e tregut konkurrues, zhvillimin e sistemit të gazit natyror dhe krijimin e vendeve të reja të punës që ndërlidhen me sektorin e energjisë.

Strategjia vazhdon mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me termocentralin “Kosova e Re” si dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë së ripërtëritshme.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovim të kërkesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit të përgjithshëm për shfrytëzimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A (KEK).

Konfirmimi i interesit të përgjithshëm bëhet me qëllim të krijimit të bazës juridike për lëshimin e licencës nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, konform Ligjit për Minierat dhe Mineralet, Korporatës Energjetike të Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve përkatëse të saj në interes të përgjithshëm publik.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për ndërmarrjet publike.
Qëllimi i koncept-dokumentit është përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike dhe rritja e vlerës së aseteve.