19.06.2018

Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, vendos synimet e Kosovës konform standardeve të BE-së

12 Qershor 2018

Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, është hartuar duke marrë për bazë të gjitha standardet e BE-së në Fushën e Efiçiencës së Energjisë dhe sjellë një numër të konsiderueshëm të risive krahasuar me legjislacionin që ka qenë në fuqi deri më tani, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Këto komente kreu i MZHE-së i bëri gjatë paraqitjes së ekspozesë për këtë projektligj para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Ministri Lluka tha projektligji vendos Synimet  e Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat e BE-së sa i përket efiçiencës së energjisë; përcakton strukturën dhe përmbajtjen e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë dhe Planeve Komunale të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë si dokumente kryesore strategjike; përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë si dhe politikave dhe objektivave tjera nacionale.

Gjithashtu, Ministri Lluka nënvizoi se ky projektligj themelon Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, i cili do te shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm, që do të ndihmojë në arritjen e caqeve të Republikës së Kosovës në fushën e Efiçiencës së Energjisë. Ky fond do të investojë në projekte të efiçiencës, kryesisht në sektorin publik, dhe synohet që investimet të kthehen përmes kursimit të energjisë.

“Dëshiroj të potencoj se ky projektligj është hartuar me ndihmën e Projektit të Mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe janë konsultuar të gjitha palët e interesit. Përveç kësaj, teksti i projektligjit është konsultuar edhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe janë marrë për bazë vërejtjet dhe sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtar të kësaj fushe”, tha ai.

Sipas Ministrit Luka, Kosova do të përfitojë rreth 10 milionë euro nga Komisioni Evropian në formë granti me hyrjen në fuqi të këtij ligji te cilat do të implementohen nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë, ndërsa pjesë e rëndësishme e financimit te projekteve të efiçiecës përmes këtij fondi do te jetë edhe Banka Botërore, kontributi i tyre fillestar parashihet të jetë diku 5 milionë dollarë.

Duke vlerësuar projektligjin si mjaft të avancuar, konform standardet e BE-së në fushën e Efiçiencës së Energjisë, Ministri Lluka kërkoi nga anëtarët e komisionit që të votojnë për miratimin e këtij projektligji. Ndërkaq, shtoi se MZHE do të jetë e gatshme që në fazat e mëtejme të punoj me komisionin për të shqyrtuar dhe plotësuar këtë projektligj për fazat tjera të miratimit.