24.10.2018

Për një javë konfiskohen 14 automjete të paregjistruara në veri

4 Tetor 2018

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se me zbatimin e planit operativ të Policisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve të paregjistruara dhe të parregullta situata në trafik është përmirësuar. Masat nuk vlejnë për automjetet të cilat qarkullojnë me tabela që i kanë lëshuar autoritetet serbe, “PR”, “KM”, “PE”, “UR” e “PZ”.

Për një javë, sa Policia e Kosovës është duke zbatuar planin operativ për largimin nga komunikacioni dhe konfiskimin e të gjitha automjeteve të paregjistruara dhe teknikisht të parregullta, në komunat veriore të Kosovës janë konfiskuar 14 automjete të paregjistruara, ka thënë Policia e Kosovës.

Në Polici janë shprehur të kënaqur me zbatimin e planit operativ për siguri në komunikacion, pasi që nga fillimi i vitit në rajonin e Mitrovicës Veriore, sipas kapiten Besim Hotit, nuk ka ndodhur asnjë aksident me fatalitet, shkruan Gazeta “Zëri”.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për “Radio Kontakt Plus” se që nga 24 shtatori, kur kanë hyrë në fuqi masat për largimin e automjeteve teknikisht të parregullta dhe të paregjistruara, në rajonin e Mitrovicës së Veriut është përmirësuar dukshëm situata në komunikacion dhe siguria e qytetarëve.