18.07.2018

Nuredin Krasniqi emërohet ushtrues detyre i drejtorit të Telekomit të Kosovës

16 Mars 2018

Telekomi i Kosovës nëpërmes një komunikate për media bën të ditur se Nuredin Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e kryeshefit të Telekomit të Kosovës pasi që kryeshefit të deritanishëm Agron Mustafa i kishte skaduar mandati.

Komunikata e plotë e Telekomit të Kosovës dërguar për media:

Ditët dhe javët e fundit që lamë pas, ishin më të vështirat për Telekomin e Kosovës në aspektin e operimeve dhe vendimmarrjes. Gjendja e krijuar (tashmë e njohur për të gjithë ne dhe opinionin), ishte sfidë dhe përgjegjësi, shpresojmë të mos përsëritet kurrë.

Telekomi i Kosovës udhëhiqet sipas Ligjeve mbi Ndërmarrjet Publike dhe Qeverisje Korporative të Republikës së Kosovës. Mungesa e Bordit të Drejtorëve dhe së fundmi skadimi i kontratës së punës (23.02.2018) së Kryeshefit Ekzekutiv, ka bërë që operimet, vendimmarrja si dhe implementimi i strategjisë në Telekomin e Kosovës, të kenë vështirësi (si në aspektin formal ligjor e procedural, ashtu edhe në atë  biznesor).

Ndonëse kishte zëra se Këshilli Ndërministror kishte rekomanduar Qeverisë për vazhdim të kontratës për z. Mustafa, në mënyrë zyrtare apo formale një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, pra Telekomi nuk ka asnjë informatë.

Duke parë këtë situatë të padefinuar, pa perspektivë dhe rrezikun e bllokimit të operimeve dhe afarizmit të Telekomit të Kosovës në tërësi, Sekretari dhe Këshilltari i Përgjithshëm  i Korporatës,  z. Arian Gashi, me datë 13 Mars 2018, thërret takim të jashtëzakonshëm të Menaxhmentit Ekzekutiv të TK-së dhe Sindikatës së punëtorëve (Kryetarin e saj në cilësinë e vëzhguesit), ku njëherazi e falënderojmë për unitetin e treguar dhe angazhimin tij konstruktiv për zgjidhje.

Pas analizës që i është bërë situatës së krijuar, Menaxhmenti Ekzekutiv del me qendrim/konluzion:

“Gjendja e krijuar në Telekom është rast i veçantë i pa ndodhur më parë, me qëllimin dhe vullnetin më të mirë si dhe obligimet që dalin nga detyrat dhe përgjegjësitë e punës, ushtrimin e detyrës së Zëvendës KE do vazhdojë të ushtrojë sipas vendimit të Bordit z.Nuredin Krasniqi, (prot.01-5351/15 dt.25.11.2015) deri në një vendim tjetër nga Aksionari”.

Informata dhe përshkrimi i gjendjes së krijuar deri në detalin e fundit (në vazhdimësi) i është derguar Aksionarit.

Me datë 16 Mars 2018 (pasditen e vonë), Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) – Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dërgon njoftim /kërkesë që përgjegjësitë e Telekomit të Kosovës të ndërmarrin hapat/veprimet e nevojshme në raport me gjendjen e krijuar të mbështetura në ligj.

Andaj, të nderuar kolege dhe kolegë, me këtë njoftim ju bëjmë ftesë që të përkushtoheni në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive që iu takojnë, të kontribuojmë të gjithë në realizmin e objektivave të Telekomit të Kosovës.

Nisur nga kjo, zv. KE i TK Sh.A z.Nuredin Krasniqi, së bashku me Menaxhmentin Ekzekutiv dhe Sindikatat e Punëtorëve,  ju falënderojnë për vullnetin dhe gatishmërinë për punë, në tejkalimin e situatës së krijuar, besojmë se së bashku me punë e angazhim do t’ua dalim mbanë!

Ju ftojmë që bashkërisht të angazhohemi maksimalisht në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në të mirën e Telekomit të Kosovës.