21.05.2018

MZHE publikon kontratat komerciale për TC “Kosova e Re”

19 Janar 2018

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë sot publike marrëveshjet komerciale të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”, të nënshkruara me 20 dhjetor 2017 për projektin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Kjo u bë e ditur nga vet Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë një konference për media, me ç’rast ka theksuar se ashtu siç kishte premtuar ka bërë publike këtë kontratë, ndërsa çdo vonesë është si pasojë e aprovimit të publikimit të saj edhe nga ana e investitorit “Contour Global”.

“Sot e kemi këtu kontratën e arritur me kompaninë “Contour Global”, e cila kontratë përmban mbi 1000 faqe. Nga sot e tutje të gjithë qytetarët e Kosovës, mediat, shoqëria civile dhe të gjitha institucionet mund të kenë qasje të hapur në kontratën e paprekur tërësisht dhe si e tillë do të shpërndahet në të gjitha format, përfshi edhe qasjen në mënyrë elektronike në web faqen e MZHE-së”, tha Lluka.

Kreu i MZHE-së tha se të gjithë të interesuarit tash e tutje mund ta shohin, ta shfrytëzojnë, ta analizojnë dhe ta diskutojmë në ditët në vijim dhe të parashtrojnë çfarëdo pyetje që kanë rreth kontratës.

Ministri Lluka tha se kontrata nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që janë pajtuar dhe kanë nënshkruar para vitit të ri, dhe se do të vazhdojë ta promovojë transparencën për çdo marrëveshje që do të nënshkruaj personalisht, ato do të jenë publike, pra nuk do të ketë konfidencialitet, por do të iu lejohet qasje mediave, shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarve.

Kreu i MZHE-së ka ripërsëritur se projekti prej 1.3 miliard euro nuk ka asnjë barrë për buxhetin e vendit, ndërsa do të japë siguri energjetike Kosovës. Sipas tij, norma e kthimit të interesit është arritur të ulet nga 27 për qind sa ishte ne fillim në 18.5 për qind. TC Kosova e Re pas 20 vitesh do t’i kthehet në pronësi Qeverisë së Kosovës, ndërsa jetëgjatësia e tij do të jetë 40 vjet.

Kontratat komerciale në formatin pdf mund t’i gjeni në web faqen e MZHE-së në linkun e mëposhtëm.

http://mzhe-ks.net/sq/kontratat-komerciale-te-projektit-tc-kosova-e-re#.WmHy6a6nGM8