23.09.2018

MZHE mbështet fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, obligon “KMDK” t’i deponojë mbeturinat pa pagesë

10 Shtator 2018

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka obliguar Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) që të pranojë pa pagesë deponimin e mbeturinave gjatë fazës së projektit “Ta Pastrojmë Kosovën”, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Kompania në fjalë, sipas vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjatë kësaj faze ka për detyrë të evidentojë, peshojë dhe të kontrollojë mbeturinat për të verifikuar llojin dhe sasinë e tyre dhe t'i pranojë vetëm ato që kanë të bëjnë më fushatën "Ta Pastrojmë Kosovën".

Vendimi në fjalë është nënshkruar nga Ministri Valdrin Lluka dhe ka hyrë në fuqi sot dhe do të vazhdojë deri në përfundim të kësaj fushate.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me organizatën 'Let's do it Kosova' kanë formuar task-forcën për pastrimin e Kosovës e cila do të fillojë me 15 shtator dhe do të zgjatë 3 muaj, në të cilën janë përfshirë edhe institucionet, përfshirë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.