19.09.2017

Me pakon e re fiskale lirohen nga dogana produktet për lëndë të parë në prodhim

17 Korrik 2017

Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti, ka prezantuar, listën e masave të pakos fiskale 2.0 , e cila është miratuar paraprakisht në mbledhjen e Qeverisë.

Këto masa sipas tij, do të ndryshojnë komplet ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

“E para dhe më e rëndësishmja është lirimi nga tatimi doganor për gjitha produktet që konsiderohen si lëndë të parë për procesin e prodhim, kjo nënkupton lirim të kostos së prodhimit për prodhuesit tanë rreth 10 për qind. E dyta heqja e normës së akcizës në mazut për qëllime prodhimi. Duke i përcaktuar normativat e prodhimit që përdorin kompanitë . E treta është reduktimi nga 18 në 8 për qind i TVSH-së për aktivitetet kulturore , artistike , sportive , turistikët akomodim , rekreacion dhe përpunim të peshkut në Kosovës. E katërt është Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore për nxitjen e investimeve në sektorë strategjikë të Kosovës siç janë , bujqësia, turizmi dhe teknologjia informative”, tha Hoti.

Ministri në detyrë i Financave tha se këto masa janë diskutuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se ka sqaruar edhe masa e cila ka qenë më e diskutueshme me FMN, siç është Udhëzimi Administrativ për pushimet tatimore për nxitjen e investimeve në sektorë të veçantë me potencial për zhvillim dhe punësim siç janë bujqësi, agro-procesim , turizëm dhe IT për një periudhë të caktuar kohore.

“Diskutimi që kemi pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar në prill të këtij viti në Washington kanë qenë të tilla që ne t’ i kufizojmë këto masa në sektor ma specifik pra në sektor që ne e quajmë në ekonomi në sektorin ku krijohet më së shumti punësim varësisht prej investimeve që ndodhin që është bujqësia, turizmi dhe sektori i teknologjisë informative . Kjo masë do të kompletohet me një vendim shpjegues të ATK-së që ju mundëson firmave që bëjnë investime që amortizimi ta përdorin në dy vitet e para mos të presim 6 vite për të shlyer investimin që e kanë bërë”, tha Hoti.

Disa prej këtyre masave do të hyjnë në fuqi gjatë këtij muaji, ku sipas Hotit disa prej tyre do të bëhen gati si drafte në mënyrë që me konstituimin e institucioneve të procedohen më tutje.

Sipas tij, është lista e veprimeve ligjore që duhet të ndërmerren nga Ministri të ndryshme ,nga Agjencitë e ndryshme dhe se janë caktuar institucionet përgjegjëse për nxjerrjen e aktit ligjor, nënligjor për masën përkatëse.

Është caktuar sipas tij po ashtu edhe afati kohor kur duhet të përgatitet masa përkatëse dhe kur duhet të hyjë në fuqi.

Ai po ashtu tha se Qeverinë në detyrë nuk e ndalon askush që të krijojë kushte për të bërë biznes.

“Kemi pasur përmirësime të mëdha në realizimin në rangimin ndërkombëtar të Kosovës që bëhet rregullisht nga Banka Botërore. Efektet e asaj pako janë parë në dy vitet kaluara në normën e zhvillimit ekonomik që është rritë nga 1 në rreth 4 për qind. Tash këto masa i kompletojnë masat e asaj pako fiskale dhe ofrojnë mundësi që bizneset në Kosovë të jenë plotësisht konkurrente me bizneset në regjion edhe më gjerë”, tha Hoti.

Pakoja ka hy në fuqi dy vite më parë e cila sipas Hotit ka pasur ndikim në zhvillimin ekonomik.