24.10.2018

Lluka paralajmëron rritjen e transparencës në marrjen e licencave për BRE

19 Shtator 2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka bërë të ditur se Ministria që drejton ka ndërmarrë të gjitha masat që marrja e licencave për investime në Burime të Ripërtëritshme të Energjisë të jetë e hapur dhe transparente, në formën e ankandit  publik për të shmangur problemet që po shkaktojnë licencat me lista të pritjes.

Këto komente, i pari i MZHE-së i bëri në ceremoninë e hapjes së edicionit të tretë të “Green Festival”, që po mbahet në sallën 1 Tetori në Prishtinë, ku të pranishëm ishin; Christina Davies, u.d e Zëvendësdrejtorit të Misionit të USAID-it, Ambsadorja Suedisë në Prishtinë, Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, Drejtor i GIZ për Kosovë dhe Maqedoni, David Oberhuber, Kyeshefi Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha si dhe përfaqësues të bizneseve.

Ministri Lluka tha me këtë rast se MZHE synon që bartë licencat për 100-120 megavat nga ato hidro në atë solare dhe me erë, duke pasur parasysh se potenciali më i madh dhe interesimi më i madh i investitorëve të huaj dhe vendorë është për këtë lloj të burimeve të energjisë.

Duke folur për efiçiencën e energjisë, Lluka tha se tashmë Ligji për Efiçiencë është dërguar në  Kuvend e Kosovës dhe se shumë shpejtë do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Nga ana tjetër, Christina Davies, u.d së zëvendësdrejtorit të Misionit të USAID-it, tha duhet të vazhdohet organizimi i këtij festivali edhe gjatë viteve të ardhshme, ku vetëm këtë vit kanë marrë pjesë dy herë më shumë se në vitin e kalura.

Ambasadorja Suedisë në Prishtinë, Karin Hernmarck Ahliny, u shpreh se brenda viti 2020 sektori privat të ketë energji më të mirë, e që duhet bërë investime në këtë aspekt.

Ndërsa, Gerrie Willems, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, tha se Kosova duhet të ndjekë shembullin e Holandës, ku një përqindje e madhe e energjisë përfitohet nga erërat.

Po ashtu, David Oberhuber, drejtor i GIZ-it për Kosovë dhe Maqedoni, ka thënë se duhet me shumë të bashkëpunojnë me institucione që të investojnë në efiçiencën e energjisë.

Astrit Panxha, Kryeshef Ekzekutiv tek Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se ky festival duhet të ndikoj tek qytetarët se si duhet të shpenzojnë energjinë elektrike, po ashtu tregoi se është rritur numri i të interesuarve për investime në këtë fushë.

Ky është edicioni i tretë i “Green Festival”, i cili për gjatë tri ditëve, i promovon bizneset e gjelbra të Kosovës dhe e ngrit vetëdijen dhe interesimin për riciklim, energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.