21.05.2018

“Luftë” për kryeshefin e “Ibër-Lepencit”

18 Janar 2018

Qeveria e Kosovës dyshohet se ka emëruar jashtëligjshëm anëtar bordi në “Ibër-Lepenc” Muharrem Xhemajlin, ish-kreun e OVL-së së UÇK-së, si dhe njëherësh kandidat për deputet i PDK-së. Anëtar i ri është emëruar edhe Liridon Zogiani, po ashtu pjesë e PDK-së.

Përmes këtyre dy anëtarëve të rinj pushteti po tenton të marrë kontroll të plotë në këtë ndërmarrje publike qendrore, duke bërë përpjekje për ta shkarkuar kryeshefin aktual, i cili është i afërt me LDK-në.

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë nisur “luftën” për të vendosur kontroll të plotë nëpër ndërmarrjet publike në vend. Qeveria e Kosovës ka emëruar dy anëtarë të rinj në Bordin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.

Ata janë Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogiani, të dy pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gazeta “Zëri” mëson së koalicioni në pushtet përmes kësaj po synon ta rrëzojë kryeshefin aktual Januz Kabashin, i cili është i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).