22.03.2019

KOSTT-i po e furnizon kundërligjshëm veriun me rrymë

21 Shkurt 2019

Pjesa veriore e  Kosovës, po furnizohet me energji elektrike në mënyra të kundërligjshme nga Kosova.

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) është kompani publike që transmeton energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes. Kjo kompani po i furnizon në mënyrë të kundërligjshme me energji elektrike komunat në pjesën veriore të Kosovës. Këtë e kanë pranuar vetë zyrtarët e këtij institucioni. Megjithëkëtë, rryma nuk është prodhim i Kosovës, por tërhiqet nga Rrjeti Evropian dhe regjistrohet ne njehsorët e KOSTT-it.

Ndërkohë, kompania serb për furnizim me energji EMS, në mënyrë të kundërligjshme po shpërndanë fatura te qytetarët, nga ku vitin e kaluar ka inkasuar miliona euro në komunat e veriut.

Elvane Devexhi Osmani,  zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT ka thënë për lajmi.net, se konsumi i energjisë elektrike i komunave veriore të Kosovës nuk mbulohet nga tarifat e transmetimit apo tarifat e konsumatorëve fundor dhe se që nga data 1 dhjetor 2017, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, dhe udhëzimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, rryma e cila konsumohet në veri nuk mbulohet nga tarifat e energjisë elektrike andaj tërhiqet nga sistemet interkonektive të Evropës Kontinentale.

“Konsumi i pjesës veriore te Kosovës, furnizohet me energji elektrike nga KOSTT, dhe kjo energji tërhiqet nga Rrjeti Evropian në mënyre te paautorizuar, meqë KOSTT as ligjërisht e as financiarisht nuk ka mundësi të blejë energji elektrike për të mbuluar konsumin e pjesës veriore të Kosovës, për shkak te vendimeve të gjykatës përkatëse e Kosovës (rasti i iniciuar nga Ombudpersoni dhe konfirmuar edhe nga gjykata, për largimin nga tarifa e çmimit te energjisë elektrike për konsumatoret, të energjisë elektrike të papaguar nga konsumatoret e pjesës veriore të Kosovës) dhe për shkak të zvogëlimit të të hyrave për KOSTT për 44% nga ZRRE”, tha Elvane Devexhi Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT.

Ajo tha se kjo energji e tërhequr nga Rrjeti Evropian regjistrohet në njehsorët e KOSTT-it, të instaluar në kuadër të grupeve matëse të energjisë elektrike, të vendosur në linjat transmetuese interkonektive, në kufi me Serbinë, Maqedoninë Veriore, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Sipas KOSST-it, aktualisht, deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për kyçje në mes të KOSTT/ENTSO-E, KOSTT operon si pjesë përbërëse e EMS (Serbi) në Zonën Kontrolluese dhe Bllokun Kontrollues SMM (ku bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi) ku si lidere e bllokut EMS ka përgjegjësinë për balancimin e sistemit ndaj OST-ve të Evropës Kontinentale.

“Mos implementimi i marrëveshjes për kyçje KOSTT/ENTSO-E po vazhdon të i shkaktojë dëme financiare KOSTT-it, pasi që operatori serb EMS vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje ku konkretisht për vitin 2018 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar rreth 4.7 milionë euro”, ka thënë tutje Devexhi Osmani.

Në vitin e kaluar KOSTT kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës 1 milion euro për një muaj për t’iu shmangur devijimit të interkonjeksionit evropian ENSOI. I gjithë ky kaos energjetik kishte ardhur si pasojë e heqjes nga faturat e konsumatorëve të Kosovës pagesën e tarifës edhe për pjesën veriore të Mitrovicës.

ZRRE në mbledhjen e 15 shkurtit 2019, ka marrë vendimin final për Certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST – KOSTT), pas nxjerrjes së Opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE) në vendimin preliminar të Bordit të ZRRE, të marrë më 24 shtator 2018, me të cilin bordi kishte vendosur se OST-KOSTT përmbushë kriteret për tu certifikuar si Operator i pavarur i Transmetimit të energjisë elektrike. Me vendimin final për certifikimin e OST-KOSTT, i cili mbështetet edhe në opinionin e SKE, ZRRE-ja ka konfirmuar se ka ndarje të mjaftueshme të kontrollit mbi OST-në, prodhimin dhe/apo furnizimin e energjisë elektrike dhe që KOSTT vepron në përputhje me dispozitat e shthurjes, të përcaktuara me kapitujt IV dhe V të direktivës 2009/72/EC1, kapituj këta të transpozuar në legjislacionin e Kosovës nëpërmjet nenit 11 të Ligjit për Energjinë Elektrike.

Rëndësi e certifikimit të KOSTT si OST dhe njohja e këtij certifikimi nga sekretariati si institucion simotër i Komisionit Evropian, është qenësor për njohjen e KOSTT si OST nga ENTSO-E si një ndër parakushtet themelore për anëtarësim në ENTSO-E, dhe institucionet tjera evropiane, dhe do t’i mundësonte KOSTT-it operimin e pavarur nga Serbia dhe se njohja e kapaciteteve teknike, operative, financiare, menaxheriale, do të eliminon pretendimet e Serbisë që KOSTT-i nuk ka kapacitete për të operuar dhe menaxhuar sistemin elektroenergjetik të Kosovës. /Lajmi.net/