21.08.2018

Kosova dhe Shqipëria diskutojnë përshpejtimin e hapave për heqjen e Roamingut

19 Korrik 2018

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë zotuar për hapat e domosdoshëm që duhet të ndërmarrin të dyja palët në aspekt legjislativ dhe teknik, me qëllim që të përshpejtohen procedurat, në mënyrë që në afatin më të shkurtër të mundshëm të hiqet Roamingu mes dy vendeve.

Në këtë linjë ishte takimi i delegacioneve nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë të kryesuar nga Ministri Valdrin Lluka dhe Zëvendësministrja, Dorina Çinari, ku mori pjesë edhe sponsoruesi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për heqje të Roamingut, deputeti  Dardan Molliqaj, si dhe Kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Në takim u shqyrtuan edhe mundësitë që operatorët të bëjnë marrëveshje në mes vete që së paku për këtë sezon të pilotohet heqja e Roamingut dhe më pastaj të nënshkruhen Marrëveshjet e domosdoshme ndërshtetërore në mes të Ministrive dhe Marrëveshjet Teknike në mes të dy Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike të dy vendeve tona.

Heqja e Roamingut është një nga shërbimet më të rëndësishme që do të iu mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë komunikim shumë më efikas dhe më të Lirë.

Me këtë rast u theksua se shumë shpejtë tarifat e Roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë e temë e së kaluarës.