16.12.2018

Investimi në Telekomin e Kosovës, “Orange” i bie pishman?

9 Qershor 2018

Në fillim të muajit maj zyrtarë të lartë të kompanisë franceze të Telekomit “Orange”, kanë qëndruar për vizitë në Kosovë. Kjo kompani u tha se ka shprehur interesim që të investojë në Telekomin e Kosovës.

Mirëpo që nga koha kur përfaqësues të kësaj kompanie ishin në Kosovë ende nuk dihet se si kanë menduar të investojnë në Telekomin e Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

Gazeta ka pyetur në Qeverinë e Kosovë se deri ku kanë shkuar këto bisedime, mirëpo as në Qeveri nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete.

Donjeta Gashi zëdhënëse e Qeverisë ka thënë se gjatë vizitës që kompania “Orange” ka pasur në Kosovë ka marrë informata mbi situatën e Telekomit.

“Zyrtarë të lartë të kësaj kompanie kanë qenë për vizitë në Kosovë dhe kanë realizuar disa takime me akterët relevant. Kompania ka marrë informata bazë mbi situatën në Telekomin e Kosovës dhe besojmë që janë në shqyrtim të mundësive për të investuar”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, në Telekomin e Kosovës kanë deklaruar se nuk janë në dijeni se ku dhe si do të investojë kjo kompani.

“Ne nuk dijmë për këtë punë”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli.

Ndërsa, eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ka deklaruar për Gazetën Alo se rreth këtij investimi din vetëm për atë se çfarë është thënë në publik. Mirëpo, thotë se biseda të tilla nisin sekserë e jo zyrtarë të kompanive serioze.

“Nga përvoja e di se biseda të tilla nisin sekserë e jo zyrtarë te kompanive serioze. Sekserët janë spekulantë që ‘peshkojnë’ raste që mendojnë se mund t’u sigurojnë fitime të shpejta. Me gjasë zyrtarët tonë kanë pritur sekserë e jo zyrtarë të kësaj kompanie”, ka thënë ai.

Sipas tij Telekomi i Kosovës nuk ka nevojë për investime të të jashtme pasi që ka infrastrukturë dhe gjithë çka i duhet për të punuar me fitim dhe se kjo sipas Hamitit mundë të ndodhë vetëm duke e ndërprerë plaçkitjen e Telekomit.

Hamiti thotë se jo vetëm tash por edhe në përpjekjet e mëparme për privatizim të Telekomit ka pasur jo investues serioz pasi që në kushtet në të cilat gjendet Kosova nuk mund të vijnë investues serioz.

“Edhe në përpjekjet e mëparme për privatizimin e Telekomit kemi pasur të bëjmë vetëm me spekulantë sepse investues serioz nuk vijnë  në asnjë sektor në këto kushte që është vendi. Të shtoj se spekulantët janë të preferuarit e qeverive tona sepse me ta mund te bëhen pazare më lehtë. Natyrisht për përfitime personale”, ka thënë ai.

Gazeta Alo ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania franceze e Telekomit “Orange”, për të kuptuar se si kanë menduar të investojnë në Telekomin e Kosovës por nuk ka marrë përgjigje.

Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të cilat kapin shifrën e 60 milionë eurove.

Në vitin 2010 Qeveria e Kosovës e kishte filluar procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces./Gazeta Alo