18.01.2018

Haradinaj: Rryma do të shtrenjtohet, por jo shkaku i “Kosovës së Re” (Video)

16 Dhjetor 2017

Kryeministri Ramush Haradinaj ka zbuluar  detaje nga marrëveshja që Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë, këtë të mërkurë, me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Haradinaj thotë se marrëveshja siguron investime të konsorciumit amerikan prej 1.3 miliard euro, që do të jetë investimi më i madh i huaj. Qeveria do t’i sigurojë “Contour Global” kthimin e investimit 18.5 për qind dhe jo 24 për qind sa ishte negociuar nga Qeveria e kaluar.

Ashtu sikur ka paralajmëruar opozita dhe disa organizata të shoqërisë civile, kreu i Qeverisë e pranon se energjia elektrike do të shtrenjtohet.

“Rritja e energjisë elektrike është e pashmangshme; është e çmimeve të tregut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Por nuk ndikon kjo kontratë në rritjen e çmimit dmth kur prodhojmë me kapacitete të vjetruara si sot, dhe nuk kemi mundësi t’i përmbushim kërkesat tona, ne blejmë rryme mbi 100 euro megavatin. Ndërsa me kontratën e re është rreth 70 euro çmimi i megavatit”, tha Haradinaj, në një intervistë për EkonomiaOnline.

“Organi rregullativ i tregut të energjisë e ka paraparë një rritje fare pa ndodhë investimi; nuk e kanë ditur që do të jetë kontrata e arritur”.

I pyetur se a do të bëhet publike krejt marrëveshja dhe kostoja financiare, Haradinaj, tha se “E kemi për nder me ba publike marrëveshjen”.

“Dy-tre elemente t’ju them. Kjo është pare e jashtme, nuk investon Kosova asnjë cent. Ta keni parasysh, është krejtësisht investim i huaj, i pari që ndodhë në Kosovë. I tillë është rreth 1 miliard e 300 milionë euro investim i huaj”, ka theksuar ai.

Qeveria e Kosovës thotë se TC “Kosova e Re” do të ndërtohet me teknologji superkritike dhe koeficient të eficiencës 40%, duke reduktuar dukshëm emetimet e gazrave.

“Kjo është teknologjia më e re, më e mbrama. Koeficienti maksimal në pastërti është 42, kurse ne e kemi 40, pra nuk ka më lartë. Jemi në teknologjinë më të avancuar”, shprehet Haradinaj.

Pas finalizimit, ky projekt me kapacitet prej 500 MW thuhet se do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës.

Krahas kësaj, kryeministri thekson rëndësinë që ky investim ka për tërheqjen e investimeve të tjera të huaja.

“Kjo e ndryshon krejtësisht situatën me Kosovën dhe me investitorët. Në momentin kur kompania është e listuar në Premium bursë të Londrës, e nxjerr këtë kontratë, atëherë krejt pamja e Kosovës tek investitorët me kredibilë, më seriozë në botë ndryshon. Dhe kjo është një shenjë e mirë për Kosovën”.

Sipas tij, arritja e marrëveshjes është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve e ekspertëve. Por, një meritë të madhe ia lë vetes.

“Në fakt, unë e kam kryer një punë që me vjet të tërë, qe 15 vjet rri nëpër tavolina të Kosovës. E kemi kryer një punë që nga 24 për qind që ka qenë në ekuitet (garantimi i kthimit të fitimit për kompaninë), kurse tani është 18.5 për qind. Dhe ia kam dhanë Kosovës një situatë krejt të re, krejt tjetër. Me këtë nuk mburrem vetëm unë, por kanë punuar breza e breza për këtë punë”.

“E faleminderit që e kemi qymyrin, sepse pa qymyr nuk kish ndodhë. Por është shumë me rëndësi që e kemi marrë një investim të tillë”, thekson kreu i Qeverisë.

Në këtë intervistë, kryeministri Ramush Haradinaj flet dhe për 100-ditëshin e Qeverisë së tij, kur do të mund të lëvizin kosovarët pa viza, kur do të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe, marrëdhëniet me Brukselin e tema të tjera. Intervista e plotë publikohet të dielën. /EO/