20.11.2017

GIZ dhe ICK krijojnë vende të reja të punës për të rinjtë në Kosovë

5 Shtator 2017

Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Deutsche Gesellschaft für internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo (ICK), po synojnë krijimin e vendeve të reja të punës, nëpërmjet ofrimit të trajnimeve profesionale në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe angazhimin e kandidatëve të trajnuar në kompani të ndryshme, për punë praktike me pagesë, me mundësi të punësimit të rregullt.

Republika e Kosovës është duke kaluar nëpër një transformim të rëndësishëm socio-ekonomik. E përballur me probleme politike dhe ekonomike, përfshirë mungesën e perspektivës, shumë të rinj nën moshën 35 vjeç, të cilët përbëjnë 50% të popullatës së vendit (me nivel të papunësisë 60%), e shohin migrimin si zgjidhje. Një numër i madh i të papunësuarve nuk janë të kualifikuar apo nuk posedojnë shkathtësitë e nevojshme për nevojat e tregut ndërkombëtar.

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është identifikuar me rol kyç për zhvillimin ekonomik të vendit. Strategjia Kombëtare e TIK, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 2015, parashikon që deri më 2020 ky sektor të jetë promotori kryesor për zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës dhe avancim të inovacionit, duke rritur kështu edhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Tregu i TIK në Kosovë, ndonëse më i vogël se sa shtetet e rajonit, ka përjetuar rritje të vazhdueshme ndër vite, duke i siguruar vendit deri në 11% të GDP-së së përgjithshme në periudhën 2017-2013. Ky sektor karakterizohet me një numër të madh të bizneseve startup dhe të mesme, por me kapacitete të kufizuara për projekte të mëdha. Legjislacioni në fuqi nuk ofron lehtësime në baza sektoriale dhe mungojnë fondet investive.

Sipas një ankete të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (STIKK), kompanitë nuk janë shumë të kënaqura me kualitetin e fuqisë punëtore dhe profesionistëve të rinj që dalin nga institucionet e edukimit të lart në Kosovë, dhe të njejtat detyrohen që një pjesë të investimeve ta drejtojnë në aftësime shtesë të të punësuarve, me qëllim të përditësimit të tyre me njohuritë dhe shkathtësitë e domosdoshme. Programet për punë praktike për të rinjtë, rezultojnë si shumë frytdhënëse drejt aftësimit të tyre për tregun e punës.

Një program i tillë, nga Qershori i këtij vitit po zbatohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK) me mbështetje të Agjencionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Deutsche Gesellschaft für internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Pesëdhjetë e pesë (55) kandidatën nga faza e parë, të cilët fillimisht po i nënshtohen trajnimeve profesionale në zhvillim të aplikacioneve mobile, gjuhë të ndryshme programuese, dizajn grafik dhe online marketing, po angazhohen nëpër kompani të ndryshme, përfshirë edhe bizneset startup brenda inkubatorit të ICK-së, me qëllim të përfundimit të periudhës tre mujore të punës praktike me pagesë. Varësisht rezultateve dhe performancës gjatë periudhës tre-mujore, kandidatët do t’a kenë mundësinë të përfitojnë kontrata të rregullta pune dhe të zhvillojnë më tutje karrierën e tyre profesionale. Deri më tani, kandidatët janë angazhuar në kompani si: Solaborate, Scholar, American School of Kosova, ORB Mag, Happy Feet, Platforma Akademia, Akademia jCoders, Rrota, Kokrra dhe Qysh.me.

Përveç programit të trajnimit dhe punës praktike me pagesë, ICK dhe GIZ po ofrojnë grante deri në 5,000 Euro për disa prej bizneseve nga inkubatori i biznesit i ICK-së, varësisht nga nevojat e identifikuara. Bizneseve përfituese poashtu iu ofrohet konsulencë, mentorim dhe shërbime teknike gjatë gjithë fazës së zbatimit të grantit.

Në Nëntor të këtij viti, GIZ nëpërmjet këtij programi do të mbështesë aktivitetet e Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nga ICK, për të pestin vit me radhë.