22.03.2019

Fillojnë hetimet ndaj kompanive që me marrëveshje të fshehtë i rriten çmimet e naftës dhe benzinës

15 Shkurt 2019

Kosovarët janë duke paguar momentalisht çmimet më të larta të naftës dhe benzinës. Dyshimet e para ishin se kjo po bëhej pas një marrëveshjeje të fshehtë që ishte bërë që këto çmime të mbaheshin mbi nivel. Pas gati dy muaj hetimesh nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, këta të fundit, sot pas një mbledhje që zgjati për tetë orë, kanë filluar hetimet ndaj 16 kompanive. Në një intervistë për Express, kryetari, Valon Prestreshi, ka thënë se kanë ftuar edhe Prokurorinë Speciale për këtë çështje, si dhe kompanitë që të tregojnë nëse kanë pasur presione nga dikush, në mënyrë që të shpëtojnë nga sanksionet.

Derisa në tregun botëror çmimi i naftës është më i ulëti në vitet e fundit, në Kosovë situata po qëndron ndryshe.

Në kurriz të qytetarëve, disa nga kompanitë më të mëdha të naftës në vend, po dyshohet se kanë rritur çmimet derisa kjo marrëveshje u bë cak i hetimeve e mund t’iu sjellë edhe sanksione për to.

Për më shumë se dy muaj, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, në bashkëpunim me disa institucione, prokurorinë Speciale e edhe AKK-në në Shqipëri, ka ardhur në përfundimin se ekziston bazë e mirë që mund të zbardhë prapavijën që solli marrëveshjen e çmimeve.

Në një intervistë për Express, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka deklaruar se fillimisht është bërë monitorimi dhe grumbullimi i të dhënave nga institucionet përkatëse, ndërkaq, ka shpjeguar se pastaj i është bërë ftesë edhe Prokurorisë Speciale për këtë çështje.

“Ne kemi filluar hetimet në momentin që ka pasur një reagim të madh të shoqërisë civile e mediave, ka ndodh në dhjetor të 2018’tës, ne kemi thirrë Komisionin e Autoritetit me të cilin kemi vendos që të fillojmë monitorimin dhe grumbullimin e të dhënave nga institucionet përkatëse. Ne i kemi bërë thirrje edhe Prokurorisë Speciale që të futet në këtë çështje ta hetojë nga ana penale nëse ka mundësi të gjejë ndonjë keqpërdorim ose shkelje penale të kodit penal të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas Prestreshit, Autoriteti ka pretendime për këtë rast, krejt kjo bazuar në të dhënat të cilat janë grumbulluar.

“Autoriteti i ka pretendimet e veta bazuar në të dhënat që i ka grumbulluar dhe bazuar në analizat statistikore që i kemi nxjerrë nga të dhënat e marra nga organet përkatëse dhe ne konsiderojmë që do ta zbardhim këtë rast me një vendim përfundimtar në momentin që t’i mbledhim të dhënat ndaj kompanive’, shtoi ai, duke treguar se çka kanë kërkuar nga kompanitë të cilat dyshohet se janë pjesë e marrëveshjes.

“Fillimisht kemi kërkuar nga këto 16 kompani që të na japin të dhëna, ato janë të detyruara tani të japin këto informata dhe mos ofrimi i të dhënave nga këto ndërmarrje do të thotë mosbindje ndaj autoritetit dhe autoriteti ka bazë ligjore t’i ndëshkojë në mënyrë automatike me 2% të qarkullimit vjetor, vetëm nëse nuk i ofrojnë këto të dhëna, tjetër çështje është procedura tjetër që do të ndjekim, ndërsa prokurorisë i mbesë të vendosë nëse do të futet në këtë rast”, duke thënë se kanë bashkëpunuar me Doganën, ATK, Ministrinë e Tregtisë dhe të Financave.

Nga AKK po thonë se nuk kanë pasur presione direkte nga dikush, duke bërë të ditur se periudha e hetimeve përfshinë fillimin e vitit 2018’të, deri në fund të atij viti.

Kryetari i AKK-së, ka edhe një ftesë për ndërmarrjet e dyshuara.

“Unë ju bëj thirrje secilës ndërmarrje që tani është koha më e mirë që të dalin dhe ta njoftojnë autoritetin nëse ka pas marrëveshje të tillë ose nëse ndonjëra ka qenë e detyruar nga ndonjë ndërmarrje tjetër që t’i mbajë çmimet e nëse njëra kompani vjen e raporton këtë rast do të lirohet tërësisht nga sanksioni administrativ sepse është e para që e tregon rastin, ju bëj thirrje kompanive që janë në procedurë hetimore që ta tregojnë nëse kanë pas ndikim nga ndonjë ndërmarrje tjetër”, shtoi ai, duke thënë se hetimet planifikohet të zgjasin për 10 muaj.

AKK, ka bërë të ditur se pas monitorimit në sektorin e naftës kanë vërejtur se ka mos reflektim të uljes së çmimit të naftës dhe derivateve të naftës kur ka lëvizje të çmimit, ulje apo ngritje, të këtij produkti në berëza.

Për këtë arsye, Komisioni i AKK-së ka vendosur që të fillojë procedurën e thelluar hetimore në tregun përkatës për të vërtetuar pretendimin mbi dyshimet nëse ka marrëveshje, koordinim, praktikë të bashkërenduar apo sjellje paralele në treg për fiksimin e çmimeve të naftës dhe benzinës ndërmjet 16’të ndërmarrjeve që janë objekt hetimi për këtë rast

Duke u thirrur në ligj, nëse potencialisht vërtetohen këto dyshime, ndërmarrjet mund të gjobiten.

“Sipas ligjit, AKK gjobën e ka 10% të qarkullimit vjetor të një ndërmarrjeje. Nëse një ndërmarrje ka qarkullim 1 milionë euro atëherë gjoba do të ishte mbi 100 mijë euro. Këto të hyra kthehen në buxhetin e shtetit. Nga ana administrative është kjo gjobë, ndërkaq nga kodi penal, prokuroria mund të hapë një hetim tjetër”, janë deklaruar nga AKK.

Momentalisht në Kosovë, qytetarët po paguajnë cmime të larta për derivate, ndërkaq, marrëveshja e fshehtë ishte kundërshtuar që nga fillimi nga Shoqata e Naftarëve