21.10.2018

Drejtori i “Trepçës” në Veri krenohet me pagat e kombinatit, thotë se shkojnë deri në 700 euro për minator

7 Gusht 2018

Drejtori gjeneral i kombinatit “Trepça” në veri, Jovan Dimkiq, në shënimin e Ditës së Minatorëve të shtetit të Serbisë në Leposaviq ka thënë se pagat e minatorëve të “Trepçës” në veri janë ndër më të mirat në rajon.

Sipas tij, në “Trepçën” në veri janë të angazhuar në punë 1200 punëtorë, ndërsa paga marrin 2400 punëtorë, shkruan Gazeta "Zëri".

Drejtuesit dhe punëtorët e kombinatit “Trepça” në veri të Kosovës kanë shënuar Ditën e Minatorëve të Republikës së Serbisë. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës Serbe për Kosovën, krerë të Listës Serbe, si dhe përfaqësues të subjekteve politike dhe të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Drejtori gjeneral i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka thënë se sa i përket aspektit ekonomik “Trepça” ka shënuar rezultate të mira prodhuese dhe financiare dhe si rezultat prodhimi është stabil.

“Ne jemi kompani krejtësisht likuide, e cila rregullisht i kryen të gjitha obligimet ndaj furnitorëve, kompanive që ofrojnë shërbime, rregullisht paguan pagat e punëtorëve e që janë ndër më të mirat në rajon, posaçërisht kur bëhet fjalë për ata punëtorë që punojnë drejtpërdrejt në prodhim dhe paga e tyre është 700 euro”, ka thënë Dimkiq, i cili ka shtuar se me të gjitha rezultatet “Trepça” në veri shpeshherë pëson për shkak të pengesave administrative dhe për këtë arsye ka humbje të mëdha financiare dhe këto ndikojnë edhe në imazhin e “Trepçës”.