20.10.2019

Buxheti i vitit 2019 i orientuar më shumë për skema sociale

15 Nëntor 2018

Planifikimi i rritjes së mjeteve për shëndetësi dhe edukim vlerësohen si pozitive në projektbuxhetin e vitit 2019 të miratuar së fundi nga qeveria. Por ekspertët të cilët kanë folur për Radio Kosovën, pajtohen se aspekti negativ është ndarja e qindra milionë eurove për skema sociale.

Zhvillimi i shëndetësisë si dhe i arsimit vlerësohen si të domosdoshme për vendin tonë. Megjithatë Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike, thotë se këto investime duhet të jenë të lidhura me indikatorë të caktuar, posaçërisht në arsim.

“Neve na duhet shpejt rezultati në adresimin e hendekut në mes të tregut të punës dhe shkathtësive që ofron sistemi i edukimit dhe nëse ka buxhet më të madh, kjo duhet të përkthehet edhe në rezultate në këtë sektor”.

Por Rukiqi e potencon si investim të gabuar të mjeteve të buxhetit në skema sociale, në vend se një pjesë e tyre të investohen në prodhim përmes sektorit privat.

“Çështja e skemave sociale ka filluar të marrë përmasa të pakontrolluara, diku mbërrin 400 milionë euro edhe kam thënë dhe e përsëris vetëm një shumë ¼ e saj nëse do të investohej në ekonomi, në prodhim, përveçse do të gjeneronte punësim direkt deri në 20 mijë vende, do të krijonte edhe efekte të jashtëzakonshme, sidomos te ajo që ne kemi shumë nevojë, përmirësim i deficitit tregtar apo rritje të eksportit”, thotë ai.

Po ashtu Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, kritikon ndarjen e mjeteve të konsiderueshme të taksapaguesve në skemat sociale, disa prej të cilave  janë të përfolura për parregullsi.

“Nëse ky është buxheti, atëherë mund të flasim për një rrezik, për një kërcënim në aspektin e stabilitetit buxhetor, për çka do t’i bënim ftesë si Odës Amerikane edhe qeverisë së vendit, edhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë shumë më të kujdesshëm dhe t’i marrin në konsideratë edhe rekomandimet e FMN-së por edhe të përfaqësuesve të sektorit privat”, tha Zeka.

Kritikat e njëjta vijnë edhe nga Instituti Gap. Berat Thaçi, nga ky institut, thotë se projektbuxheti i vitit 2019 është i padrejtë ndaj qytetarëve të varfër të Kosovës.

“Një anë tejet negative është se kemi parë vazhdimin e rritjes të skemave sociale për grupe që nuk janë domosdoshmërish në varfëri. Pra, është skema sociale apo pensionet për veteranë kanë vazhduar të rriten, megjithëse numri i tyre është i kontestuar”.

Thaçi, nga Gap, po ashtu kritikon çështjen që afro gjysma e investimeve kapitale planifikohet të shkojnë në infrastrukturën rrugore.