18.07.2018

A do të bëhet Qeveria garantuese e investimeve në Trepçë?

6 Prill 2018

Tetëmbëdhjetë muaj pas miratimit të Ligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës më në fund ka arritur të emërojë gjashtë nga nëntë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të këtij kombinati, kurse tre të tjerë nga komuniteti serb pritet të zgjidhen pas rishpalljes se konkursit.

Krijimi i Bordit thuhet se do t’i hapë rrugë zhvillimit të kësaj ndërmarrjeje shumë të rëndësishme.

Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit Trepça do të bartet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 përqind, kurse 20 përqind do jenë aksione të punonjësve të Trepçës.

Por, pavarësisht asaj që parasheh Ligji i miratuar dhe vendimeve të fundit të Qeverisë për emërimin e Bordit, ekspertë të çështjeve ekonomike e konsiderojnë si mision të vështirë funksionalizimin e kombinatit metalurgjik Trepça, marrë parasysh, siç thuhet, degradimin që i është bërë këtij kombinati gjatë viteve të pasluftës.

Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se në aspektin procedural po përmbushen kushtet, por në aspektin e funksionalizimit të kombinatit, ai nuk beson shumë.

Ai thotë se për të vazhduar Trepça aktivitetin e mirëfilltë ekonomik, nevojiten mjete financiare.

“Pa marrë parasysh pronësinë, se a do të mbetet publike apo një pjesë private, prapëseprapë ajo kërkon injeksion të fuqishëm financiar në kuptimin e krijimit të kushteve për funksionalizimin e Trepçës”, thotë Ramosaj.

I njohur si gjiganti metalurgjik Trepça, ai është i ndarë në dy pjesë: në veriun e dominuar nga serbët, ku edhe ka një menaxhment serb, dhe në jug me minatorët shqiptarë, që punojnë nën menaxhmentin e autoriteteve të Kosovës.

Për 18 vjet të pasluftës, ky kombinat nuk ka arritur të rimëkëmbet.

Nga rreth 600 mijë tonë xehe në vit sa prodhonte miniera në vitet 1945 deri në periudhën e para vitit 1990, sot nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Edhe kapacitetet humane janë zvogëluar përgjatë viteve, duke u reduktuar në më pak se 1,000 punëtorë nga më shumë se 20,000, sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Trepçës, njëherësh i emëruar si anëtar i Bordit, tregon për Radion Evropa e Lirë se gjendja nuk është e mirë në kombinat dhe se prodhimi, sipas tij, ka rënë në 20 përqind sa ka qenë në vitet e para 90-ve.

Sadiku shpreson se qeveria si aksionare kryesore e Trepçës do të gjejë mundësi dhe forma për investime.

“Pa investime nuk mund të kemi një perspektivë ose një zhvillim të Trepçës. Ne presim përkrahje nga qeveria, të na mundësojë tërheqjen e ndonjë kredie të butë, por garantuese të jetë Qeveria e Kosovës”, thekson Sadiku.

Edhe Ibrahim Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se investimet për rimëkëmbjen e Trepçës janë të domosdoshme. Por, siç thotë ai, nuk dihet se nga do të jetë burimi i financimit të investimeve.

“Nuk do të thotë se qindpërqind duhet të jetë buxheti i shtetit, meqenëse do të krijonte një barrë, një ngarkesë të re. Por, Trepça duhet të hapet edhe për kapitalin privat, edhe për forma tjera, qoftë edhe kreditime të mundshme nga bankat apo kompanitë që janë të interesuara për investime”, thotë Rexhepi.

Kombinati Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Kurse, 17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnje e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.

Por, menaxhimi i tyre deri më tash ka qenë i pamundur, për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.