24.10.2018

94 punëtorë të KEK-ut mbeten pa punë – tenderin e fitoi kompania që kishte shkelur dy nxënës

3 Tetor 2018

94 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë mbetur pa punë që nga 1 tetori i këtij viti. Punëtorët po pretendojnë se bartjen e punëtorëve të KEK-ut e kishin bërë që nga vitet e 60-ta kur KEK-u quhej Elektoro Ekonomia, ndërsa tash kanë mbetur pa punë. Në anë tjetër ata janë zëvendësuar nga kompania e “Vëllezërve Thaçi” që ishin përfshirë në një histori të dyshimtë.

E diela e 30 shtatorit të këtij viti ishte fundi i punës disa vjeçare të shumë punëtorëve të KEK-ut. Bartjen e punëtorëve të KEK-ut që e kishin bërë për vite me radhë nga e hëna e kësaj jave më nuk do ta kryejnë.

Punën e tyre tashmë do ta kryejnë dy kompani të tjera, “Vëllezërit Thaqi” dhe Kompania “Ariani”. Njëra prej të cilëve ka histori të dyshimtë ku vite më parë ishte zbuluar se vozitësit e kësaj kompanie vozitshin pa patentë-shofer, teksa një minibus i saj kishte shkelur dy nxënës.

Faton Abazi, kryetar i sindikatës së “Autotransporti”, thotë se bartjen e punëtorëve të KEK-ut e kishin bërë qysh prej viteve të 60-ta. Thotë se në vitin 2006 si njësi shërbyese ishin larguar nga KEK-u, por që bartjen e punëtorëve kishin vazhduar ta bënin.

Thotë se tenderin për bartjen e punëtorëve të KEK-ut e kishin fituar duke u pasur parasysh se kanë qenë punëtorë të KEK-ut.

“Prej datës 1 tetor KEK-u na ka larguar nga puna apo na ka ndërprerë kontratën për bartjen e punëtorëve të vetë. Ne e kemi pas kontratën deri në fund të muajit të kaluar. Në bazë tenderit ne patëm konkurruar ku edhe disa kompani të tjerë ku disa prej tyre kanë pasur çmimit më të lirë, mirëpo KEK-u na e ka dhënë neve tenderin dhe të drejtën për me i bartur punëtorët. Ne nga 1 tetori kemi mbetur pa punë”.

“Këtë punë e kemi kryer faktikisht prej se ekziston KEK-u, prej se ekziston ish-elektro ekonomia të viteve të 60-ta. Gjithmonë ‘Autotransporti’ e ka kryer punën për bartjen e punëtorëve nga shtëpia në punë dhe anasjelltas.  Ne kemi qenë edhe pas luftës deri në vitin 2006 kur është bërë korporatizimi i KEK-ut. Njësitë shërbyese janë larguar në atë viti kur jemi larguar edhe ne ku u patëm regjistruar në MTI si shoqëri aksionare”, ka deklaruar Abazi për Insajderin.

Abazi thotë se 94 persona kanë mbetur pa punë, teksa deklaron se gjithmonë i kanë kryer obligimet.

“Jemi ndër tatim paguesit më të rregullt në Kosovë. Asnjë cent kurrë borxh nuk i kemi. Diku tre milion euro ia kemi dhënë shtetit prej vitit 2006. Ne atëherë kemi qenë punëtorë të KEK-ut dhe u thirrshim Divizioni i Bizneseve Përkrahës. Tashmë jemi 94 punëtorë papunë. Prej 1 tetorit jemi pa punë dhe shumica jonë kemi qenë të varur prej kësaj rroge, shumica kanë edhe kredia, nuk e di tash çka do të bëhet”, ka deklaruar ai.

Gjatë ditës së sotme punëtorët e “Autotransportit”, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për faktin se 94 persona kanë mbetur pa punë.

“Prej vitit 2006 jeni në raporte kontraktuale me KEK-un dhe kemi kryer bartjen e punëtorëve të KEK-ut. Tash prej 1 tetorit jemi të papunë. I kemi 50 autobusë në qarkullim. Ne nuk jemi kundër kompanisë që e ka fituar tenderin por këtë nuk e kemi merituar pasi nuk kemi lënë pa e paguar asnjë kontribut ose tatim”, ka thënë Ejup Reka, drejtoi i Autotransportit.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), arsyetimin për dhënien e tenderit dy kompanive të tjerëve e ka arsyetuar duke thënë se ka vepruar në bazë të ofertës më të lirë nga operatorët ekonomik.

“Si rrjedhojë ju njoftojmë se për kontratën kornizë tre vjeçare oferta e OE Autotransporti ka qenë rreth 2.7 milion më e lartë sesa oferta e OE më të lirë të përgjegjshëm”.

“Duke pasur parasysh ankesat në kontratën kornize dhe në anën tjetër domosdoshmërinë për shërbime të transportit në mungesë të të cilit rrezikohet seriozisht procesi i prodhimit të qymyrit dhe prodhimit të energjisë elektrike,  autoriteti kontraktues KEK, ka qenë i obliguar të shfrytëzoj të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që të mos këtë ndërprerje të prodhimit në mungesë të shërbimit të transportit”, thuhet në një përgjigje të KEK-ut për Insajderin.

Me tej KEK-u pranon se ka iniciuar procedurë emergjente pa publikimin e njoftimit për kontratën. Thotë se “Autotransporti” kishte qenë më i shtrenjtë për 85 mijë euro, nga ofertuesi më i lirë.

“Si rrjedhojë KEK-u   ka iniciuar Procedurë ekstreme emergjente të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë me shumë operator për kohëzgjatje prej 3 muajve. 01.10-31.12.2018. Në këtë drejtim, Ju është dërguar ftesa për negociata tre Operatorëve  Ekonomik të cilët kanë qenë ofertues në procedurën e prokurimit për kontratë kornize dhe e cila është në ankimim”.

“Si rezultat i këtij aktiviteti të prokurimit emergjent, edhe për periudhën tre mujore, OE Autotransporti ishte prapë më i shtrenjte për rreth 85,000 € nga ofertuesi me i lire. Prandaj, AK, KEK sh.a, duke respektuar dispozitat e LPP-ës,  ka shpallur OE të përgjegjshëm me çmimin më të ulët dhe ka nënshkruar kontratën me nr. 6660,  me dt: 28.09.2018”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Historia e dyshimtë e kompanisë fituese

Instituti për Studime të Avancuara GAP kishte publikuar në nëntor të vitit 2012 raportin “Letërnjoftimi i Drenasit”. Raporti përmend edhe një rast që ka të bëjë me kompaninë “Vëllezërit Thaçi”.

Kompania e Mehdi Thaçit që kishte fituar tenderin për bartjen e nxënësve në 11 relacione të Komunës së Drenasit, ishte raportuar për disa parregullsi nga Komisioni mbikëqyrës i komunës së Drenasit.

Komisioni kishte gjetur se minibusët ishin vozitur nga persona nën moshën 18-vjeçare [pa patentë shoferë], minibusët kishin qentë të mbi ngarkuar dhe në fshatin Tërstënik ishin shtypur dy nxënës.

“Komisioni kishte gjetur se minibusët ishin vozitur nga personat nën moshën 18 vjeçare (pa patent shoferë), minibusët ishin mbingarkuar me nxënës si dhe në një rast një minibus i kompanisë kishte shkelur dy nxënës në fshatin Terstenik duke u shkaktuar atyre lëndime trupore”, thuhet në raportin e GAP-it./Insajderi.com