20.11.2018

12 milionë euro për 5 kilometra të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë

15 Maj 2018

Kanë filluar punimet në “Segmentin M2” (Lumadh – Gojbulë, Vushtrri), që është pjesë e autorrugës Prishtinë – Mitrovicë, e gjatë 5 kilometra dhe që financohet prej fondeve arabe, vlera 12 milionë euro.

"Segmenti M2” i rrugës Mitrovicë – Prishtinë (Lumadh - Gojbulë) në Vushtrri ka filluar të ndërtohet dhe më në fund banorët e qytetit të Vushtrrisë do të mundë të qarkullojnë pa vështirësi.

Rreth 5 kilometra të kësaj rruge kanë paraqitur problem të madh për qytetarët e qytetit të Vushtrrisë për një kohë të gjatë, por të hënën krerët e shtetit: presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë siguruar se së shpejti rruga do të ndërtohet.

Presidenti Hashim Thaçi tha se me këtë rrugë dhe rrugët e tjera që po ndërtohen Kosova po merr pamje evropiane, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo rrugë qytetarët e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës do t’i lidhë me Prishtinën, por që shpreson se ajo do të vazhdojë shpejt edhe deri në Leposaviq dhe të lidhet me korridoret rajonale e evropiane.

Rruga, e cila është emërtuar “Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, sipas kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj është me rëndësi vitale për zhvillimin ekonomik të kësaj ane.

“Ky është lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe po vjen në të njëjtën kohë me lajmin e mirë të aktivizimit të ‘Trepçës’. Zotimi ynë për gjenerim të vendeve të punës, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë po merr kahjen e duhur dhe po ndihet nga qytetarët në çdo segment të jetës”, tha Haradinaj.