28.05.2017

Veturat, ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prishtinë

23 Janar 2016

PRISHTINË - Kualiteti i ajrit në kryeqytet tani mund të shihet edhe në webfaqen e Komunës së Prishtinës. Të dhënat për Bregun e Diellit, Dodonës, Dardanisë, Ulpianës, Qendrës dhe Kodrës së Trimave nuk flasin për një qytet me ajër të pastër.

Qytetarët shprehen të shqetësuar me këtë fakt. Thonë se ndikimin e vërejnë më së shumti në shëndet, ndërsa fajin më së shumti për ndotje ua lënë termocentraleve të KEK-ut.

Por, nuk janë termocentralet e KEK-ut, shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thotë se ndotja më e madhe vjen nga automjetet.

Në komunë thonë se po punojnë për një mjedis më të mirë. Ekzekutivi komunal thotë se ndër masat që ata kanë ndërmarrë që gjendja e ajrit të ndryshojë është sistemi i koogjenerimit dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra.

Derisa shtojnë se edhe autobusët e rinj, që ende nuk kanë ardhur, do të ndikojnë në këtë aspekt.