22.09.2017

“Vetëvendosje” vazhdon ta qeverisë e vetme Prishtinën

26 Janar 2016

PRISHTINË - Komuna e Prishtinës të hënën ka mohuar spekulimet në lidhje me arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet “Vetëvendosjes” dhe AAK-së.

“Krejt çka është thënë në media duket si spekulim i pastër. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, por deri tashti nuk kemi pasur asnjë takim të veçantë me përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të bërë ndonjë koalicion dhe për të ndarë drejtori”, ka thënë për gazetën nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ne i kemi 4 anëtarë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo tregon se fuqia jonë është goxha e vogël, por për aq sa kemi fuqi, jemi të gatshëm ta marrim edhe përgjegjësinë, duke e ndarë me pushtetin aktual të Prishtinës”, kryetari i Degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi. Me të njëjtën përgjigje për “Kohën Ditore” është paraqitur edhe ish-shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së, Imer Rusinovci, deklaratat e të cilit janë paraqitur sikur koalicioni të jetë para përfundimit të hedhjes së nënshkrimeve.

Për përfaqësuesin e LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala, koalicioni i mundshëm i AAK-së me pushtetin ka ekzistuar kaherë. “Edhe ashtu Prishtina nuk është udhëhequr krejt nga Shpend Ahmeti, por nga të mëdhenjtë e VV-së, nga zyrat e saj, duke qëndruar jo larg këtyre zyrave edhe të mëdhenjtë e AAK-së”, ka theksuar Shala.

Për gazetaren që e ka përcjellë një kohë të gjatë Komunën e Prishtinës, Rajmonda Zhdrella, AAK-ja ka qenë gjithmonë e rreshtuar prapa “Vetëvendosjes” dhe “në Kuvend Komunal koalicioni s’ka si të jetë ndryshe”. “Nëse kjo ndodh, atëherë AKR-ja dhe Partia e Drejtësisë më të drejtë mund të kërkojnë hise, sepse edhe ato kanë qenë pro politikave të ‘Vetëvendosjes’”, ka thënë Zhdrella, sipas së cilës VV-ja kishte deklaruar që do të qeverisë vetë, por kështu humbi ndërmarrjet publike, pas një mosmarrëveshjeje me PDK-në.

Lëvizja “Vetëvendosje” ndërkaq i ka 10 anëtarë. Së fundi, AAK-ja e ka fituar edhe një këshilltar në KK. Asaj i është bashkuar këshilltari i Lëvizjes për Bashkim, Ibrahim Mehmeti, duke e lënë subjektin nga i cili ka dalë me vetëm një anëtar.

Sikur në të ardhmen të ndodhte një koalicion midis lëvizjes “Vetëvendosje” dhe AAK-së, partia në pushtet në Komunën e Prishtinës do t’i kishte gjithsej 14 këshilltarë në KK, derisa opozita LDK e PDK numërojnë bashkërisht 27 këshilltarë. PDK-ja i ka 8 anëtarë dhe bashkë me 19 këshilltarët e LDK-së bëjnë shumicën e Kuvendit.