28.05.2017

Tregu i gjelbër në Prishtinë në gjendje të mjerë, askush nuk merr përgjegjësi (Foto)

2 Mars 2016

PRISHTINË - Tregu u gjelbër, i vjetri, që ekziston që shumë vite në kryeqytet nuk kontrollohet nga askush sa i përket cilësisë. Komuna ia hedh fajin AKP-së, në AKP thonë se nuk merren me cilësinë e në Agjencinë e Veterinës pohojnë se është përgjegjësi e komunës.

Mishra, produkte qumështore, pemë e perime mund t’i gjeni në tregun e gjelbër që ndodhet pranë Radio Televizionit Publik, por mënyra e si ato ekspozohen nuk është e duhura. Ato i ekspozohen shiut, të nxehtit e madje edhe të reshurave.

Lajmi.net ka tentuar të kuptoj nëse kontrollohet cilësia dhe mënyra se si shiten produktet por del se askush nuk e bënë një gjë të tillë.

Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës ka deklaruar se ky treg është në menaxhim të AKP-së.

Ajo pranon se kushtet në këtë treg nuk janë në gjendje të mirë por thotë se kanë kërkuar nga AKP që të lirohet një pjesë e tregut, meqë i takon “Ndërmarrja shoqërore “Tregu”, me qëllim ndryshim lokacioni, por të gjithë po presim procesin e likuidimit.

Ajo ka deklaruar se për detaje më të hollësishme mund ta kontaktojmë sërish pasi të flasim me zyrtarët e AKP-së, por më nuk ka kthyer përgjigje, për rreth një muaj.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi thotë për lajmi.net se “Ndërmarrja shoqërore “Tregu”, që nga muaji korrik 2014 është përfshirë në procesin e likuidimit me vendim të Bordit të Drejtorëve.

NSh “Tregu”, sipas dokumenteve kadastral që posedon AKP, ka aset (një pjesë të tokës ku është vendosur tregu) në tregun e gjelbër (afër RTK-së).

Agjencia, në bazë të kontratave të qirasë, sipas Kaloshit i ka liruar për shfrytëzim hapësirat për tregtarët që operojnë aty.

“Sa i përket kontrollit të cilësisë së ushqimit, autoritetet publike që merren me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara për kontrollin e ushqimit nuk pengohen nga Agjencia për t’i kryer këto obligime. Përkundrazi”, ka thënë Kaloshi.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i saj, Valdet Gjinovci thotë se probleme të ngjashme kanë në shumë komuna, ngase komunat kanë numër të vogël të inspektorëve apo nuk kanë fare inspektorë.

Por, në bazë të Ligjit për Ushqimin është paraparë që inspektorët të kalojnë në AUK, ligj ky që nuk është miratuar e as nuk ka kaluar ende në Kuvend të Kosovës.

Gjinovci bënë të ditur se tregjet nuk janë kompetencë e tyre. "Tregjet janë kompetencë e komunave. Në këtë drejtim kur inspektorët që i kanë, duhet ata t’i kontrollojnë. Tregjet janë kompetencë e komunave të vendit, fatkeqësisht nuk janë në nivelin e kënaqshëm dhe nuk kontrollohen ashtu si duhet”, ka thënë ai./ lajmi.net/