28.07.2017

Totalisht i bllokuar

8 Mars 2016

PRISHTINË - Pallati i Rinisë ka kaluar direkt nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Por, si pasojë e një borxhi të madh, menaxhmenti i ndërmarrjes që disa muaj ka mbyllur llogaritë bankare dhe të gjitha të hyrat nga qiratë e lokaleve, janë duke u kryer me para kesh. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike nuk lejon që më shumë se 500 euro të qarkullojnë në dorë.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka kaluar direkt nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Por, kjo ndërmarrje është në krizë të thellë financiare. Si pasojë e mungesës së parave, ndërmarrja e cila është nën menaxhimin e AKP-së, që disa muaj është duke pranuar të hyra dhe duke bërë pagesa kundërligjshëm. Menaxhmenti i ndërmarrjes ka mbyllur llogaritë bankare përkohësisht dhe të gjitha të hyrat nga qiratë e lokaleve janë duke u kryer me para kesh.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme kishte dhënë aktvendim ku e detyronte Pallatin e Rinisë që t’i kompensonte të dëmtuarit që u ishte djegur malli në depot e Pallatit të Rinisë, pasi këta të fundit kishin ushtruar një padi ndaj Pallatit ku edhe kishin fituar rastin për shkak që në depot e objektit kishte pasur materiale të bizneseve që operojnë në Pallat. Ky vendim kishte bërë që ndërmarrjes para pak muajve t’i merren të gjitha paratë në llogaritë bankare.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike nuk lejon që më shumë se 500 euro të qarkullojnë në dorë. Qaush Berisha, kryeshef ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, ka thënë se ende mbeten të bllokuara xhirollogaritë e Pallatit të Rinisë, dhe të gjitha pagesat, sipas tij, po bëhen përmes arkës.