19.11.2017

“Termokos” përmbyll sezonin ngrohës

15 Prill 2016

PRISHTINË - NP “Termokos” SH.A, ashtu siç edhe është e paraparë me Ligjin për ngrohje dhe me planin e furnizimit me ngrohje, sot do të përfundojë sezonin ngrohës 2015/2016.

Ky sezon përmes një komunikate për media po cilësohet si sezoni ngrohës më i suksesshëm, jo vetëm sa i përket fillimit dhe përfundimit të furnizimit me ngrohje sipas afatit ligjor (15.10.2015- 15.04.2016), por edhe për shkak të furnizimit me ngrohje cilësore të pandërprerë përgjatë gjithë sezonit, pa asnjë ditë ndërprerje.

“Si rezultat i ngrohjes së mjaftueshme dhe cilësore, që u kemi ofruar konsumatorëve tanë, ka pasur një rrjedhojë shumë pozitive edhe në rritjen e shkallës së inkasimit, e cila në raport me sezonin e kaluar ngrohës është 71 për qind më e lartë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e “Termokos” thuhet se suksesi i arritur në këtë sezon ngrohës i dedikohet menaxhmentit dhe punëtorëve të ndërmarrjes si dhe secilit konsumator, që ka paguar me rregull faturat e ngrohjes.