22.03.2019

SHBA dhe Kosova gjatë vitit 2015

31 Dhjetor 2015

UASHINGTON - Marrëdhëniet e SHBA me demokracinë më të re në Evropë janë të bazuara në një vizion të përbashkët për vendin e ligjshëm të Kosovës në një Europë të tërsishme, të lirë dhe në paqe.

Kjo ka qenë deklarata më e shpesht e zyrtarëve amerikanë kurdo që kanë folur për marrdhëniet me Kosovën. Në anën tjetër thuhet se ‘qeveria dhe populli i Kosovës respektojnë thellësisht dhe janë mirënjohës për rolin e Amerikës në dhënien fund të spastrimit etnik në fund të 1990-së.

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në urimin për shtatë vjetorin e pavarësisë do të deklaronte këtë vit se udhëtimi i Kosovës në vitet e fundit është ‘i jashtëzakonshëm dhe një kontrast mahnitës me tragjedinë për të cilën tha se ishte dëshmitar si senator amerikan në vitet e fundit të shekullit të njëzetë.’ Ajo që është vlerësuar nga ana e SHBA sidomos këtë vit është angazhimi i fuqishëm i Kosovës për të ndihmuar ‘koalicionin e gjerë ndërkombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.’ Viteve të fundit janë shpeshtuar edhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë mbi nevojën e qasjes së Kosovës në aleancën ushtarake perëndimore. Qeveria amerikane është deklaruar se mbështet fuqimisht objektivin e Kosovës për të hyrë në Partneritetin për Paqe dhe më pas edhe në NATO.

Në fushën e investimeve, bizneset amerikane kanë më shumë interes se kurrë më parë që të investojnë në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo investimi amerikan dhe perëndimor në Kosovë dhe në rajon në radhë të parë varet nga progresi që shënon Kosova dhe rajoni në zbatimin e rendit dhe sundimin e ligjit. Dhe cilat janë pengesat sipas zyrtarëve amerikanë? Është thënë më se njëherë se korrupsioni pengon zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, pengon investimet, nxit emigrimin, dhe dobëson besimin në institucionet publike. Në raportin vjetor të të drejtave të njeriut këtë vit thuhej se korrupsioni për fat të keq ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.

Edhe në vitin që po hyjmë Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj të ndërtimit të një shteti stabil, demokratik dhe ekonomikisht të qëndrueshëm në Evropë. Përzgjedhja nga Bordi i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, do t’i mundësojë Kosovës financim në shumë sektorë të rëndësishëm për një zhvillim të gjithanshëm.