18.12.2018

Opozita gati për manifestimin në Gjilan

10 Dhjetor 2015

PRISHTINË - Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare në Gjilan i kanë bërë të gjitha përgatitjet ashtu që manifestimi i datës 12 dhjetor të jetë masiv dhe dinjitoz.

“Qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës vazhdimisht i kanë kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Republikën e Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës, është prekur më së shumti nga decentralizimi etnik, për të cilin na thoshin se është kompromisi i dhimbshëm i fundit, e që doli të jetë veç kaparja për ‘Zajednicën’. Po ashtu, banorët e kësaj pjesë i kanë parë për së afërmi gabimet e Qeverisë së Kosovës në demarkacionin me Maqedoninë. Prandaj, qytetarët e Anamoravës nuk do të lejojnë që të shumfishohen këto dëme, as përmes ‘Zajednicës’, e as përmes demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Opozita thotë se marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë, dhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, duhet të tërhiqen menjëherë.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë, atëherë le t’i hedhë marrëveshjet në referendum, dhe le të vendosë populli i Kosovës për to. Nëse Qeveria nuk guxon as të organizojë referendum, atëherë duhet që vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Partitë opozitare i kanë ftuar qytetarët, që të shtunën, më 12 dhjetor 2015, në orën 13:00, në sheshin para Teatrit të Qytetit në Gjilan të manifestojmë kundër “Zajednicës”, të manifestojmë kundër demarkacionit me Malin e Zi, të manifestojmë për Republikën.

“Do ta shprehim masivisht, vullnetin e qytetarëve të Anamoravës për një shtet sovran e funksional”.