22.09.2017

Nënkryetari i Prishtinës: LDK shfrytëzon të vdekurit për të mbijetuar

28 Shkurt 2016

PRISHTINË - Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka radhitur një varg kritikash të rënda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryesisht për sistemin e drejtësisë dhe për bashkëpunimin e saj me PDK-në.

Sejdiu, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se LDK ishte në pushtet në Kosovën e pasluftës plotë 13 vite, pra vetëm 3 vjet nuk ishte në qeverisje ndërsa thotë se gjatë gjithë këtyre viteve kishte në udhëheqje, mes tjerash, edhe Ministrinë e Drejtësisë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Çuditërisht, për 13 vite asnjë vrasje politike të pas-luftës nuk ishin në gjendje as deri në zyrë të prokurorisë të dërgojnë, pra as edhe një rast të vetëm. Interesante kjo për një subjekt që në mënyrë të përkryer e luajti rolin e viktimës, përderisa gjatë gjithë kohës ishte vet në pushtet, e që kishte këto dy ministri kyçe”, theksoi Sejdiu.

Tutje, sipas nënkryetarit Sejdiu, që vjen nga radhët e Vetëvendosjes, ky subjekt [LDK] e kishte plot gojën me akuza kundër “SHIK”-ut por kur subjektet opozitare kërkuan nënshkrimet për hetimin e kësaj organizate, me përjashtim të disave, “nënshkrimet e tyre munguan”.

“Për më shumë, në dy mundësitë që iu dhanë LDK-së të zmbrapste PDK-në dhe Hashim Thaçin prej pushteti, në nëntor të vitit 2014 kur pas 6 muajsh iu dorëzua pikërisht PDK-së, dhe javën e kaluar kur në vend të rrëzimit të Thaçit e kurorëzuan me kolltukun e Presidentit”, ka thënë më tej Sejdiu.

Dardan Sejdiu pati akuza për LDK-në edhe në lidhje me veprimet e saj politike duke “bllokuar” një pjesë të elektoratit me idenë e rrejshme që ata janë vazhdimësia e një lëvizje paqësore të fillim viteve 90”.

“Në fakt kjo LDK nuk është / janë / asgjë më shumë se një grup që shfrytëzon të vdekurit për të mbijetuar, krijon imazhe pafuqie duke u fshehur pas PDK-së plotë 13 vite, dhe në fund fare nuk sjellë asnjë ide përveç një koncepti mbi një filozofi për të cilën as edhe një fjalë e vetme nuk është në të shkruar. Dhe sot, përsëri synojnë të krijojnë/mirëmbajnë këtë imazh duke shfrytëzuar aparatin e dhunës dhe të mediave që kanë kapur së bashku me PDK, ortakun e tyre të kamotshëm”, ka përfunduar nënkryetari Sejdiu.