22.09.2017

Mungojnë informatat për linjat e transportit publik në Prishtinë

28 Janar 2016

PRISHTINË - Disa qytetarë janë ankuar se mungojnë informacionet nëpër stacionet e kryeqytetit. Ata thonë se nuk ka informata bazë për disa nga linjat e autobusëve.

Ata tregojnë se nuk janë të rralla rastet kur nisen për një drejtim dhe arrin diku tjetër. E vetmja mënyrë e informimit mbetët në dritare të autobusëve. Qytetarët patën vërejtje edhe për vonesa të autobusëve.

Qytetarët e intervistuar sot nga lajmi.net u bëjnë thirrje institucioneve komunale që sa më shpejtë të  rregullojnë çështjen e transportit urban në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë fushatës zgjedhore prezantoi një plan për rregullimin e Trafikut Urban. Por me kalimin e viteve plani i tij, vazhdon të mos gjejë zbatim.

Në një aksion të zhvilluar në kuadër të fushatës për kryetar të Prishtinës, Ahmeti së bashku me grupin e tij të kandidatëve për këshilltar komunal, u shfaqën aq ambicioz, saqë bënë edhe harta se si do të dukeshin linjat e autobusëve të transportit publik.

Ai, madje, pati thënë se plani i ri i trafikut urban do të jetë me shtrirje në çdo lagje, me orar të saktë dhe të parashikueshëm, me kosto të përballueshme, me prioritet në trafik si dhe me cilësi e pastërti.

Ndërkohë, që nga fillimi i udhëheqjes me kryeqytetin, Ahmeti vazhdimisht ka premtuar data për fillimin e operimit të autobusëve të rinj, të cilat deri më tani nuk janë realizuar.

Është folur për projektin e zhvillimit të mobilitetit në qytet të financuar së bashkëpuim me organizata ndërkombëtare financiare, siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke pasuar edhe me blerjen e autobusëve të rinj.

Por megjithë projektin i cili është në procedurë e sipër, qeverisja lokale në Prishtinë, nuk ka bërë mundin që së paku t’i organizojë në mënyrë më të mirë kapacitetet ekzistuese dhe të jetë më efikas operimi i autobusëve brenda qytetit.

Lajmi.net ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të kontaktojë me zyrtarë të informimit në Komunën e Prishtinës lidhur për problemin e informimit dhe funksionimit të transportit urban, por pa sukses. lajmi.net.