28.07.2017

LDK: Ahmeti po e shkel ligjin dyanshëm

16 Janar 2016

PRISHTINË - Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se në letrën shkresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Përgjigje në kërkesë për çështjet e ngritura përmes shefit të grupit të LDK-së në Prishtinë, ndër të tjera, është vlerësuar dhe konstatuar shkelja e ligjeve në fuqi nga ana e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas grupit të LDK-së konsideron se nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është konstatuar:

Mosraportimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës para anëtarëve të Kuvendit gjatë vitit 2015, duke e vlerësuar se është obligim ligjor i kryetarit të Komunës të raportojë për situatën ekonomike financiare dhe zbatimin e planeve investuese të komunës, së paku njëherë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet konform Ligjit në fuqi. Kryetari Shpend Ahmeti nuk raportoi dhe nuk ishte as fizikisht në asnjërën nga mbledhjet e Kuvendit të Prishtinës, kur duhej të raportonte, sipas obligimit ligjor që ka.

Se komisionet komunale të aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike Komunale në Prishtinë, të themeluara sipas Ligjit, janë funksionale dhe kanë shumicën e anëtarëve të emëruar me fuqi të plotë vendimarrëse, përkundër pengesave që po u bën vetë kryetari i Komunës z. Shpend Ahmeti, me mosemërimin e anëtarit të tretë, si obligim ligjor i tij.

Sipas LDK-së, në raport me Ndërmarrjet Publike Komunale kryetari i Komunës po e shkel ligjin dyanshëm: po e pengon punën e komisioneve dhe nuk po e emëron anëtarin e tretë në këto komisione.

“Mungesa e vendimit, ose mosbërja publike e vendimit mbi shtimin e drejtorive dhe emërimin e drejtorëve të drejtorive të reja në Komunën e Prishtinës; kryetari i Prishtinës nuk dihet të ketë nxjerrë vendim për drejtoritë e reja komunale dhe shumë nga anëtarët e Kuvendit të Prishtinës nuk dinë se sa drejtori i ka Komuna në vitin 2016 dhe kush do t’i udhëheqë ato”, thuhet në komunikatën e LDK-së. “Moszbatimi i vendimeve administrative të formës së prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendime këto që duhet të ekzekutohen nga kryetari ose zyrtari i nivelit të lartë, në afat prej 15 ditësh”, thuhet më tej aty.

Në komunikatë thuhet se Grupi i LDK-së konsideron se vazhdimi i shkeljes së ligjeve nga ana e Shpend Ahmeti pritet të sanksionohet nga organet përkatëse, Ministria përkatëse dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Grupi i LDK-së konsideron se është e papranueshme që kryetari i Komunës së Prishtinës të bëhet pengesë e vazhdueshme e zbatimit të ligjit dhe i zhvillimit të kryeqytetit, për zhvillimin e transparencës dhe të demokracisë në Komunën e Prishtinës. Sipas konstatimeve të MAPL mbi shkeljet ligjore dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, grupi i LDK-së në Kuvendin e kryeqytetit, mbi të gjitha të dhënat mbi shkeljet ligjore, po përgatit kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit”, thuhet në njoftim.