22.09.2017

Kush nuk aplikon për legalizim, iu rrënohen objektet

15 Mars 2016

PRISHTINË - Vetëm 400 persona kanë aplikuar në Komunën e Prishtinës për të legalizuar objektet pa leje nga 46 mijë sa janë të tilla në Prishtinë.

Afati i aplikimit për legalizim ka qenë nga shtatori i 2015 dhe përfundon nesër me 16 mars, njofton Klan Kosova.

Heroina Maloku nga Drejtoria e Urbanizmit në komunë e Prishtinës ka thënë se para fazës  së aplikimit ka qenë ajo e regjistrimit ku janë regjistruar 90% e atyre që kanë objekte pa leje, por kjo nuk ka ndodhë më pas në fazën e aplikimit për legalizim.

“Neglizhenca e tyre ka bërë që ata të mos aplikojnë për leje në komunën e Prishtinës”, ka thënë Maloku.

“Për të gjithë ata që nuk aplikojnë do të aplikohet udhëzimi administrativ i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë e cili parasheh rrënimin e të gjitha objekteve që nuk kanë aplikuar për legalizim. Kjo nuk dihet kur do të ndodh, vendimin e merr ministri”. tha ajo.

Procesi i legalizimit ka qenë në gjithë Kosovën, ndërsa në vend janë rreth 350 mijë objekte të ndërtuara pa leje.