18.12.2018

Hysen Durmishi i jep miliona euro kompanisë ku kishte punuar si menaxher

10 Dhjetor 2015

PRISHTINË - Avazin e shpërblimit me tenderë për kompaninë “Sopi”, në të cilin ishte menaxher për disa vite nuk e ka ndërmend t’a ndalë Drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Tenderin e fundit, me vlerë prej 172 mijë eurove, kjo kompani nga Drejtoria e Durmishit e ka marrë para tre ditësh. Derisa, kompania “Sopi” vetëm gjatë muajit qershor ka fituar tre tenderë në vlerë prej afro 1 milion eurove, të cilët kanë të bëjnë me rregullim të rrugëve në Prishtinë.

Kompania “Sopi”, në të cilën gjatë vitit 2009 dhe 2010 ka punuar menaxher,  drejtori aktual i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, po vazhdon të marrë tenderë nga komuna e Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti i VV’së.

“Sopi” para tri dite, më datën 7 dhjetor, nga komuna e Prishtinës e ka marrë tenderin e fundit.

Edhe këtij tenderi në vlerë prej 172 mijë eurove, bekimin ia ka dhënë drejtori i Infrastrukturës,  Hysen Durmishi.

Kompania “Sopi” është shpallur fituese e tenderit “Ndërtimi i disa rrugëve lidhëse me rrugën për Gazimestan”, në mesin e 11 kompanive konkurruese.

Ndërsa, kompania “Sopi” në konsorcium me kompaninë “Teknika Projekt” gjatë muajit qershor fituan tre tenderë në vlerë prej  933 mijë e  139 eurove nga Drejtoria e Infrastrukturës.

Pronarët e dy kompanive, Naim e Qazim Sopi, janë vëllezër. Në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës me kryeqytetin vëllezërit Sopi nuk arritën të marrin asnjë tender.

Zyra e Prokurimit Komunal për njërin tender ka nënshkruar kontratë më 22 qershor me dy kompanitë për  “Ndërtimi i rrugës Barilevë-Breznicë”, ndërsa këto kompani më 24 qershor janë shpallur fitues edhe të dy tenderëve, njërit për ndërtimin e rrugës Matiçan-Butovc-Kolovicë dhe tjetrit ndërtimi i rrugës Sharban-Koliq.

Opozita thotë se Durmishi ka gisht në tenderë

Flamur Shala, asambleist në komunën e Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se marrja e këtyre tenderëve nga kompania “Sopi” është e lidhur me  direkt me drejtorin Hysen Durmishi.

“ Kjo është tepër e keqe për komunën. Kjo nuk lë shumë dyshime se ndikimi i Durmisht është ende i madhe dhe për këtë fakt kjo kompani po vazhdon të marrë tenderë. Po ashtu edhe fakt tjetër është se kompania “Sopi” merr tenderë veç nga drejtoria e Durmishit”, ka thënë Shala.

Ai ka treguar se Durmishi ka rol të rëndësishëm në Vetëvendosje dhe sipas tij edhe punën në komunë e bënë duke u konsultuar me drejtuesit e kësaj parie.

“Është e kuptueshme se Durmishi punon edhe për VV’në. Edhe tenderët që ua jep kompanive duhet pa tjetër që jetë e informuar edhe paria e tij”.

Edhe Muhamet Selmani, nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se dyshimet janë të mëdha se Durmishi dhe kompania  “Sopi” kanë ruajtur miqësi dhe tani këtë e përdorin me dhënia te tenderëve.

“Dyshimet mund të jenë të mëdha se lidhja e tyre dhe miqësia vazhdon ende. Ky ndikim tani vërehet edhe në këta tender.  Vetëm fakti se Durmishi ka qenë menaxher në këtë kompani, dhe tani ajo po merr tenderë të jep të kuptosh se ka manipulime”, ka thënë Selmani.

Ai ka thënë se drejtuesit e kompanisë “Sopi” dhe drejtori Hysen Durmishi duhet të bëjnë kujdes dhe të mos vazhdojnë këtë proces. Selmani ka thënë se organet e rendit duhet të marrin masa dhe të hetojnë procesin e këtyre tenderëve.

“Sopi” e Komuna nuk flasin

Naim Sopaj, pronar i kompanisë “Sopi” nuk dashur të flas për marrjen e tenderëve në komunë. Ai madje ka rekomanduar që Gazeta Express mos ta thërras kurrë në telefon dhe t’i bëjë pyetje.

“Nuk dua të flas për këtë punë. Bile për Gazetën Express kurrë nuk dua me fol. Kurrë mos më thirrni ma as për këtë punë e as për tjera sene”, ka thënë Sopaj, edhe pse Gazeta Express është hera e parë që ka kontaktuar me të.

Kurse, në Komunën e Prishtinës, që po e shpërblen me tenderë kompaninë “Sopi” nuk kanë dashur të thonë asnjë fjalë.

Zyrtarë të Komunës  së Shpend Ahmetit nuk u janë përgjigjur pyetjeve që ka dërguar Express në email./Gazeta Express/