18.12.2018

Gjendje e rëndë në Shtëpinë për të Moshuar në Prishtinë

11 Dhjetor 2015

PRISHTINË - Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, KMDLNj ka vizituar Shtëpinë për të Moshuar në Prishtinë dhe ka biseduar me përgjegjësit e këtij institucioni, si dhe me rezidentët.

KMDLNj edhe më parë ka shfaqur pakënaqësi me gjendjen në këtë institucion që përkujdeset për një kategori të qytetarëve shumë të ndjeshëm dhe të margjinalizuar ndaj të cilëve institucionet duhet të jenë shumë më të kujdesshme.

KMDLNj thekson se edhe më parë i ka dërguar rekomandime Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të cilat vetëm pjesërisht janë përmbushur dhe nuk kanë ndihmuar shumë në përmirësimin gjendjes dhe trajtimit të rezidentëve.

“Ka dy javë që Shtëpia për të Moshuar në Prishtinë nuk furnizohet me ngrohje gjë që ju ndikon në shëndetin, edhe ashtu të lëndueshëm të rezidentëve duke e përkeqësuar atë. Ambienti i brendshëm dhe i jashtëm është depresiv sepse është ngulfatur nga ndërtimet e larta të cilat seriozisht e rrezikojnë privatësinë e rezidentëve”, thuhet në njoftim.

Më tej në kumtesën e KMDLNJ-së thuhet se Instituti Kombëtar për Higjienë dhe Inspektorati Sanitar duhet të intervenojnë urgjentisht në këtë institucion sikur që nga hapësira e këtij institucioni duhet të largohen qentë endacakë dhe macet.

“KMDLNj është seriozisht i shqetësuar me gjendjen në këtë institucion strehimor për të moshuar andaj kërkon nga MPMS dhe Komuna e Prishtinës ta bëjnë një zgjidhje të shpejtë duke e zhvendosur këtë institucion në një lokacion tjetër ose ta mbyllin atë deri në një zgjidhje të përhershme ku kushtet e vendosjes, trajtimit do të jenë të pranueshme dhe të dinjitetshme të cilat institucioni aktual nuk i plotëson. KMDLNj e thekson se edhe stafi administrativ, mjekësor dhe shërbyes e ndanë fatin me rezidentët sepse punojnë në kushte të vështira dhe të papërshtatshme për punë”, thuhet në njoftim.