28.05.2017

Dimri zbraz fshatrat e Prishtinës

30 Janar 2016

PRISHTINË - Jetullah Bajrami ka dy javë që është bërë banor i Prishtinës. Ai ka qenë rezident i komunës që nga lindja, por është detyruar që këtë dimër të shpërngulet në qytet si shumica e banorëve në fshatin e tij, Keqekollë.

Me qytetin është ambientuar shpejt e në veçanti me transportin publik, që mungon në fshatin e tij Bajrami ka lënë keq ata pak banorë të fshatit, ngase ka mbyllur shitoren e vetme ku furnizoheshin me ushqime, raporton ‘038’ i KTV-së.

Shtëpitë që dikur kishin shumë banorë, tani në qoftë se nuk janë braktisur kanë mbetur me pak pjesëtarë.

Njeri prej këtyre banorëve është edhe Ismail Jashari, i cili ka një familje të madhe prej 8 anëtarëve. Por, ai jeton vetëm me të shoqen dhe njërin djalë.

Të tjerët, në mungesë transporti, u desh që të jetojnë në qytet për t’u shkolluar.

Edhe shkolla e fshatit ka mbetur me pak nxënës. Klasat këtu ka kohë që s’janë mbushur plot.

Numri i nxënësve bie për çdo vit, thotë drejtoresha e shkollës. Nga këtu nuk ikin vetëm ata që përfundojnë shkollimin fillor.

Shtëpitë boshe e me pak banorë janë bërë edhe cak i hajdutëve, thonë në Bashkësinë Lokale të Keqekollës.

380 banorë numëron gjithsej fshati në 50 shtëpi, i cili para vitit 1999 kishte 110 familje me 1300 banorë./ktv/