22.03.2019

BE nuk po e lejon Kosovën të bëjë reciprocitet në lëvizjen e lirë me Serbinë

30 Dhjetor 2015

PRISHTINË - Qytetarët e Serbisë do të vazhdojnë të lëvizin lirshëm kur hyjnë në territorin e Kosovës, pa iu nënshtruar procesit të vendosjes së targave provuese, sikurse ndodh më qytetarët e Kosovës të cilët detyrohen t’i vendosin ato para se të hyjnë në Serbi.

Pavarësisht se janë blerë 50 mijë targa provuese për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë, një gjë e tillë nuk do të mund të zbatohet ende. E kjo, pasi Bashkimi Evropian nuk po lejon që kjo gjë të zbatohet menjëherë. Ata kanë kërkuar kohë nga Qeveria e Kosovës që personalisht ta zgjidhin këtë çështje, pasi ndërmjetës të BE-së kanë qenë në Beograd dhe Prishtinë për ta hulumtuar terrenin.

Dren Zeka, Këshilltari politik i ministres për Dialog, Edita Tahirit, ka pranuar për lajmi.net se nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm, pritet që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në kuadër të dialogut teknik në Bruksel.

“Njëra nga çështjet e para që do të shtrohet me dialogun teknik është çështja e avancimit të marrëveshje së lirisë së lëvizjes, praktikisht eliminimi i tabelave prova që po i zbaton Serbia, dmth ne që nga viti i kaluar e kemi thënë që do të marrim masa reciprociteti në këtë fushë dhe do të aplikojmë edhe ne tabela provuese nëse Serbia nuk do t’i heq ato, sepse të drejtën për reciprocitet e kemi me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që e kemi arritur në vitin 2011”, tha Zeka për lajmi.net.

Ai deklaroi se kanë qenë të gatshëm që ta zbatojnë reciprocitetin por, sipas tij, Bashkim Evropian ka kërkuar pak më tepër kohë nga ana tyre që ta trajtojnë këtë çështje dh eta zgjidhin personalisht dhe kanë kërkuar që të mos e zbatojmë menjëherë.

Kurse, sa i përket 50 mijë targave provuese që janë blerë nga Qeveria e Kosovës e që është dashur të vendosën për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë, Zeka tha se do të presin takimin e janarit për lëvizje të lirë dhe pas asaj do të veprojnë.

Ndërkohë, për këto veprime është shprehuri shqetësuar Kryesues i delegacionit të Kosovës për dialog në Bruksel për çështje të sigurimeve, Rrahim Pacolli.

Ai për lajmi.net tha se janë bërë diku gjashtë muaj që është nënshkruar marrëveshja në Bruksel dhe është dashur që marrëveshja menjëherë të zbatohet, sepse një gjë të tillë po iu bëhet qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Qytetarët e Kosovës kur po shkojnë në territorin e Serbisë po iu duhet të qesin targat prova, ndërsa e njëjta duhet të ndodh edhe me qytetarët e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës, sepse po shkelet marrëveshja. Edhe këto targa me sa e di unë janë porositur që marrëveshja të jetë reciproke, ndërsa tash dikush nuk po i lënë ata që ta implementojnë”, tha Pacolli.

Targat, siç tha ai, janë blerë më të hollat e qytetarëve të Kosovës dhe tash rrinë rezervë e nuk përdoren. “Nuk e kuptoj pse duhet të presim edhe më shumë, ndërsa qytetarëve të Kosovëë çdo ditë iu bëhet e padrejtë”, tha me tutje Pacolli.

Madje ai e quajti të padrejtë nga ana e BE-së që të kërkojë një gjë të tillë, pasi sipas Pacollit, interesi i qytetarëve të Kosovës është më i madh se çdo presion që vije nga jashtë.