22.09.2017

Asamblistët e LDK-së kundër pjesëmarrjes së Ahmetit në protestë

8 Janar 2016

PRISHTINE - Grupi i asamblistëve të Ldhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës, ka vlerësuar se konsideron se kryeqyteti i Kosovës dhe qytetarët e saj e kanë mbajtur dhe po e mbajnë peshën e të gjitha protestave të dhunshme të organizuara në Prishtinë nga Vetëvendosja dhe aleatët e saj opozitarë kundër qeverisë dhe shtetit, kundër Republikës, transmeton Indeksonline.

Përmes një komunikate për media, asamblistët kanë thënë se rëndimit të situatës politike dhe protestave të dhunshme në kryeqytet po u kontribuon pjesëmarrja e vazhdueshme e udhëheqjes së Komunës së Prishtinës, me eksponencë të shtuar, me të gjithë aktivistët politikë, drejtorë drejtorish, këshilltarë dhe eksponentë të tjerë të VV të instaluar në administratën komunale, të udhëhequr nga kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti.

“Pjesëmarrja e Shpend Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në protestat e dhunshme të deritanishme, i ka dhënë kryeqytetit një pamje me imazh përpjekjesh rrënimi të shtetit nga vetë udhëheqësit e kryeqytetit. Kjo sjellje e të parit të Prishtinës, me porosi mobilizuese të aktivistëve politikë të VV, ka kontribuar që nga kryeqyteti të shfaqen imazhe të një qyteti me pamje anarkie”, thuhet në komunikatë.