22.03.2019

Aktivitet kundër Qeverisë për mosliberalizimin e vizave

16 Dhjetor 2015

PRISHTINË - Përmes një aktiviteti, të rinjtë e Nisma për Kosovën, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Përmes një aktiviteti, rreth vendimit të Brukselit për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të rinjtë e Nisma për Kosovën, kanë shprehur shqetësimin e saj në lidhje, për siç e quajnë ata, dështimin e Qeverisë së Kosovës, që të kryej obligimet e nevojshme për heqjen e vizave për qytetarët e saj.

Ata thonë se në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimi Evropian, nga institucionet e Kosovës, në veçanti nga Qeveria, është kërkuar që të punojnë në dy rrafshe.

“Në njërin rrafsh është kërkuar të zhvillohen bisedime me Serbinë, ndërsa në rrafshin tjetër ato të zakonshmet, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thanë ata.

Vlerësuan se përgjegjësia për këtë dështim në fushën e integrimit të vendit, është vetëm e qeveritarëve të Kosovës, që në procesin e bisedimeve me Serbinë u treguan shumë të dëgjueshëm, shumë dorëlirë, bile aq dorëlirë sa që fare nuk shqetësoheshin se sa të dëmshme dhe të pa pranueshme mund të jenë marrëveshjet mbi të cilat ata i vinin pa hezituar nënshkrimet e tyre.

“Qeveritarët tanë ishin shumë të dëgjueshëm deri në përulje në procesin e bisedimeve me Serbinë, e të padëgjueshëm deri në mospërfillje të Bashkimit Evropian në rrafshin e forcimit të shtetit ligjor. Duke vepruar në këtë mënyrë, pra duke qenë të zellshëm në bërjen e koncesioneve në kurriz të Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë, këta qeveritarë shpresonin se Bashkimi Evropian do t’ua vlerësojë këtë “sakrificë” dhe nuk do të ndalet shumë në rrafshin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, thanë të rinjtë e Nisma për Kosovën./lajmi.net/