353 mijë ndërtime pa leje, vetëm 2500 aplikacione për legalizim
28 Mars 2016PRISHTINË - Nga 353 mijë ndërtime pa leje vetëm 2500 palë kanë aplikuar për legalizim. Sipas ligjit, palët që kanë aplikuar mund ti nënshtrohen trajtimit për legalizim. E ndodhur në këtë situatë Qeveria e Kosovës ka bërë disa ndryshime në ligj dhe ai pritet të miratohet në Qeveri.
Qeveria e Kosovës si duket nuk e hartoi si duhet Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje. Dokumenti që synonte ti trajtonte ndërtimet pa leje në territorin e Kosovës ka dështuar.
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), që është sponsorizues i ligjit, duke parë që qytetarët nuk po mund ti përfillin rregullat e ligjit e ka ndryshuar atë dhe e ka dërguar në Qeveri për miratim.
Ligji final ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013. Komunat e Kosovës kanë regjistruar të gjitha ndërtimet pa leje që kishin rezultuar të jenë 353 mijë të tilla, ku më pas ishte hapur faza e dytë, ajo për aplikimin e ndërtimeve pa leje, në të cilën kërkoheshin një mori dokumentesh.
Aplikimi ka përfunduar para pak ditësh, më datë 16 mars 2016, dhe në tërë territorin e Kosovës kanë aplikuar vetëm 2500 palë.
Sipas Ministrisë së Ambientit, vetëm palët që kanë aplikuar do ti nënshtrohen procesit të legalizimit, ndërsa për ndërtimet pa leje, që janë rreth 340 mijë, do të dihet shumë shpejt se si do të veprohet më tutje.
Prishtina, 39 mijë ndërtime pa leje
Prishtina është komuna me më së shumti ndërtime pa leje, me 46 mijë sosh. Dhe duke u thirrur në ligjin aktual në fuqi, zyrtarët e kësaj Komune thonë se u duhet të fusin në listën e rrënimeve të ndërtimeve pa leje rreth 39 mijë ndërtime, pasi aq është numri i atyre që nuk kanë aplikuar për legalizim.
Duke filluar nga 16 shtatori 2015 deri më 16 mars 2016, Komuna e Prishtinës i ka pranuar 761 aplikime për legalizim të ndërtimeve pa leje. Mirëpo, ne i kemi trashëguar edhe mbi 6000 aplikime nga procesi i vitit 2010, për të cilat nuk është lëshuar ndonjë vendim. Ne do të merremi me trajtimin e këtyre mbi 6800 lëndëve, ndërsa palët që nuk kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimit të tyre, sipas dispozitave ligjore në fuqi do të futen në listën e rrënimit, ka bërë të ditur Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Prishtinës. /Zëri/