16.05.2011/17:20 - E Hënë0

Instituti Gjyqësor shndërrohet në Akademi të Drejtësisë

PRISHTINË– Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti në takim Bordin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Bordit, njëherësh kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani. Në këtë takim u bisedua për forcimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe për transferimin e këtij instituti në Akademi të Drejtësisë.

Më këtë rast, ministri Kuçi tha së janë pajtuar me anëtarët e Bordit, për transferimin dhe shndërrimin e Institutit Gjyqësor në Akademi të Drejtësisë. “Me bordin arritëm një pajtueshmëri, që Instituti Gjyqësor i Kosovës të transferohet në mënyrë të ngadalshme, në një Akademi të Drejtësisë. E kemi diskutuar me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Gjykatën Supreme, që përgatitja për gjyqtarë, për prokuror, për ndërmjetësues, për noter, por edhe për provimin e jurisprudencës, të vihen në një kulm, në një shtëpi, dhe ajo do ta ketë emrin Akademia e Drejtësisë”, tha ministri Kuçi.

Sipas tij, hapi i parë në këtë drejtim do të jetë ndryshimi i ligjit të Institutit Gjyqësor, ku do të ketë një grup të përbashkët punues, që brenda këtij viti, do të përgatisin infrastrukturën legale, ndërsa në vitin 2012, do të bëjnë përgatitjen e infrastrukturës logjistike, e në vitin 2013, të fillojë puna e Akademisë së Drejtësisë.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Institutit Gjyqësor, Fejzullah Hasani, tha se falë mbështetjes së ministrit Kuçi, do të fillojnë punët në avancimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës. “Ne do t’i marrim përvojat në regjion dhe do të shohim së si do të na përshtaten ato përvoja ne, për krijimin e Akademisë së Drejtësisë, e cila do të përgatis kuadro, për funksionim sa me të mirë të sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.

Për rëndësinë e krijimit dhe rolin që do ta luaj Akademia e Drejtësisë, foli edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Rexhep Murati.

Ministri Kuçi, po sot priti në takim edhe Anëtaret e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, me të cilët bisedoi për mundësitë e organizimit sa më të mirë të këtij provimi dhe i njoftoi ata, për punët që do të fillojnë në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.

Komento: