19.11.2012/12:16 - E Hënë0

Ahmet Zogu, hero apo tradhtar?

PRISHTINË - Rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut, mbretit të shqiptarëve, dhe “odat” që u thurën për të, nga politikanët në Shqipëri e Kosovë, kanë ngjallur reagime dhe dilema rreth asaj, nëse mbreti Zog ishte hero, apo tradhtar i shqiptarëve. Historianët dhe politikanët në Kosovë, mbretit Zog nuk i japin asnjërin epitet, duke e mbajtur mes politikanit që krijoi Shqipërinë moderne dhe satrapit që vrau patriotët dhe bëri aleancë me Serbinë.

I pari ishte kryeministri Hashim Thaçi, që e radhiti atë me Nikolla Pashiqin, e që nuk ia ka pa hajrin Kosova. Një ditë më vonë është presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjatë rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog, tha se kosovarët janë pritur duarhapur nga mbreti i shqiptarëve, transmeton Zëri.

Njohës të fushës së historisë e komentojnë po thuajse në mënyra të njëjta çështjen e mbretit Zog. Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se çdo figurë politike e cila ka udhëhequr me kombin shqiptar, është shumëfaqësh. “Prandaj, secila i ka anët e tyre pozitive dhe negative, të cilat, para së gjithash duhet të vlerësohen prej institucioneve kompetente shkencore dhe akademike”, tha ai.

Kurse, historiani Jusuf Buxhovi, Zogun nuk i jep epitetin, as të heroit e as të tradhtarit. “Edhe pse për rrethana të njohura (distanca kohore, mosnjohja e fakteve meritore dhe klishetë ideologjike), historia ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë dhe objektiv për Zogun, megjithatë, mund të thuhet se ai ishte një politikan dhe burrështetas pragmatik dhe tejet i shkathët, që veproi në përputhje me logjikën shtetërore”, thotë Buxhovi.

Zogu, sipas tij, ishte i detyruar të pranojë vendimet e Konferencës së Paqes prej nga doli një gjysmë Shqipërie, e cila në radhë të parë, siç tha Buxhovi, duhej të pajtohej me fatin e humbjes së gjysmës së territoreve etnike (Kosovës dhe Çamërisë), realitet politik ky që e detyronte të lidhte konventa ndërshtetërore me shkaktarët kryesorë të tragjedisë shqiptare (Jugosllavinë dhe Greqinë).

Duke u mbështetur mbi parimin e logjikës shtetërore, e cila përjashtonte interesat e pjesëve të shkëputura të etnisë shqiptare, të cilat kishin meritat më të mëdha për pavarësinë e shtetit shqiptar, si kryeministër e më vonë si mbret, Zogu, siç tha Buxhovi, u përqendrua që me diplomaci dhe lëvizje politike ta shkëpusë Shqipërinë nga çfarëdo ndikimi të Beogradit për ta afruar me Italinë.

“Dhe, duke u larguar nga Pashiqi, me të cilin ai kishte disa marrëveshje vasaliteti, ai iu kthye Italisë me bindjen se shpëtonte jo vetëm nga kthetrat jugosllave në kurthin e të cilave kishte hyrë vetë nga marrëveshjet që i kishin ndihmuar të rikthehej në pushtet pas ngjarjeve të qershorit të vitit 1924, por kështu krijonte rrethanat që shteti shqiptar t’i afrohej botës perëndimore, ku ajo mund të prosperonte dhe njëherësh të kthehej në një interes të saj, gjë që në një të ardhme krijonte rrethana për mbrojtjen e etnive të shkëputura shqiptare”, ka thënë ai.

Historiani kosovar thotë se Zogu, krahas dhunës politike dhe hakmarrjes që përdori ndaj kundërshtarëve politikë, ai arriti ta konsolidojë shtetin shqiptar nga aspekti ekonomik, kulturor dhe ai i sigurisë. “Ky zhvillim, që kryekreje kaloi nëpërmes Italisë dhe vënies së Shqipërisë nën mbikëqyrjen e saj, kishte edhe çmimin e vet, që do ta kthejë në viktimën e parë të fashizmit italian”, ka thënë ai. Sipas tij, Zogu dhe koha e tij, edhe më tutje pret një vlerësim objektiv historik, i cili assesi nuk mund të jetë përjashtues, e aq më pak i klisheve bardh-zi.

Edhe publicisti Shkëlzen Gashi konsideron se Ahmet Zogu nuk është as hero, as tradhtar. “Shqiptarët e Kosovës nuk janë shpërfillë vetëm prej Zogut, por edhe prej Enver Hoxhës dhe të tjerëve që kanë ardhur në pushtet në Shqipëri pas viteve 90-të, duke i përfshirë edhe udhëheqësit aktualë politikë atje”, ka thënë ai, duke i përmendur disa ngjarje të dëmshme që ia ka shkaktuar shqiptarëve mbreti Zog, siç është Lëvizja Kaçake.

Gashi tha se pushtetarët shqiptarë kanë pasur gjithmonë parasysh interesa personale, e rrallë ose kurrë interesa shtetërore. “Zogu nuk bën përjashtim prej kësaj”, ka thënë Gashi.

Komento: